Pipero: Nga gjysma e dytë e marsit do bien shifrat e të infektuarve! Do e marr dozën e 2 të vaksinës

19 Shkurt 2021, 16:52

TIRANË- Mjeku Pëllumb Pipero është i bindur se nga gjysma e dytë e marsit, do të bien shifrat e të prekurve me COVID-19. Parë në një prizëm optimist, Pipero shprehet se vendi ynë mund të shohë "bishtin" e pandemisë në fundin e vitit dhe këtë mendim të tij e mbështet në disa fakte.

"Deri nga gjysma e dytë e marsit, këto do jenë shifra, besoj nga gjysma e dytë e marsit do të fillojë të bjerë numri i rasteve, jam  bindur që do fillojë dyshesa, që shpresoj që të mbyllet në fund të viti, duke besuar që një pjesë e qytetarëve, infektohet, një pjesë vaksinohet, një pjesë e kanë kaluar dhe në fund të vitit do jetë bishti i pandemisë. Shpresoj fort që gjysma e dytë e marsit do të fillojë rënia e numrave", tha Pipero.

Mjeku është "i veçantë", pasi është i pari dhe deri tani i vetmi që është infektuar me COVID pas marrjes së dozës së parë të vaksinës. Për gazetaren e Report Tv, Doris Sallaku, ai shprehet se "po", do e marrë dozën e dytë, edhe pse në këtë drejtim mendimet janë të ndara.

"Opinionet e studime nuk ka, janë të ndara edhe në raport me dozën e dytë, dominon mendimi që doza e dytë duhet bërë për të plotësuar imunimtetin. Imuniteti që le COVID-i në vetëvete është më e plotë, por të mbron vetëm nga COVID, ndërkohë vaksina mund të të mbrojë edhe nga shtamet e tjera apo viruset mutant tashmë në qarkullim. Edhe pse thonë që vetë infektim mund të konsiderohet si dozë e dytë, dominon mendimi që doza e dytë duhet bërë në javën e gjashtë, pasi 2 javësh që je negativizuar, edhe unë do e bëj", tha Pipero.

Fakti që ka bërë dozën e parë të vaksinë, për Piperon, e ka ndihmuar që të kalojë një formë më të lehtë të sëmundjes, edhe pse për të nuk ka qenë edhe shumë e lehtë.