Pjesë e listës së zezë të DASH, KQZ kërkon hetim të thelluar për Tom Doshin! Në 'lupë' dhe 11 të tjerë

22 Mars 2021, 18:58

TIRANË- Prania e emrit të tij në listën e zezë të DASH dhe takimet e shpeshta të ambasadores së SHBA-së, Yuri kim dhe kryekomisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashin kanë dhënë efektin e tyre. Sot KQZ-ja i ka kërkuar njësisë së dekiminalizimit hetim të thelluar për kryetarin e PSD-së, Tom Doshi, si edhe për 11 kandidatë të tjerë për deputet në zgjedhjet e 25 prillit.

Në këtë listë janë 3 kandidatë nga PS, 4 nga PD, 1 nga LSI. Në listën e dërguar bën pjesë edhe Rezart Tusha dhe Zef Hila nga radhët e demokratëve. Verifikimi i Tushës, ka nisur pas publikimit të lajme ku rezulton me precedentë penal si shitës heroine i arrestuar në Zvicër. Tusha është shkarkuar në vitin 2013 si drejtor i Burgut të Rrogozhinës dhe i kallëzuar penalisht, me akuzën se u jepte leje të paligjshme të dënuarve. Nga ana tjetër, verifikim të thelluar u kërkua edhe për Zef Hilën i cili u shkarkua si kryebashkiak i Vaut të Dejës pas djegies së KZAZ-së në Bushat.

Nuk i ka shpëtuar “lupës së KQZ-së”, as koalicioni ABEOK që përbëhet nga Partia Konservatore Albania me kryetar Kujtim Gjuzin, Partia Ora e Shqipërisë me kryetar Zef Shtjefnin, Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë me kryetar Selami Jenisheri dhe Partia Emigracioni Shqiptar, me kryetar Kostaq Papa. Në radhët e këtij koalicioni, janë 2 emra për të cilët kërkon më shumë të dhëna mbi pastërtinë e figurës së këtyre kandidatëve. Më konkretisht, Altin Gjeloshaj dhe Elsa Voka.

Lista e kandidatëve që KQZ kërkon hetim të thelluar
 Koalicioni ABEOK:
- Altin Gjeloshaj
- Elsa Voka
     Partia Lëvizja Socialiste për Integrim:
- Arbër Arifaj
Partia Demokratike:
- Agron Kapllanaj
- Gentjan Muca
- Rezart Tusha
- Zef Hila
Partia Socialdemokrate:
- Kleo Murataj
- Tom Doshi
Partia Socialiste:
- Artan Bitri
- Halim Dauti
- Leonard Beqiri