Policia e Elbasanit publikon emrat dhe fotot e 32 më të kërkuarve, në listë edhe Suel Çela e italiani që mashtroi bankat

10 Dhjetor 2018, 15:24

ELBASAN - Policia e Elbasanit ka publikuar emrat dhe fotot e 32 personave më të kërkuar për veprat penale vrasje, trafik femrash, kultivim e shitje narkotikësh, grabitje me armë zjarri me mashtrim. 

Në faqen e Facebook, policia shkruan shkurtimisht "wanted" (në kërkim) për 32 të fortët e Qarkut të Elbasanit ndërsa publikon të dhënat që mund të çojnë në identifikimin e vendndodhjes së tyre. Në listë bie në sy emri i Suel Çelës, 30 vjeç, djali i biznesmenit Petrit Çela, i cili akuzohet se me automjetin e tij tip "Audi" i blinduar goditi makinën e ish-zv/drejtorit të Policisë së Elbasanit, Gjergji Oshafi në hyrje të tregut industrial, ngjarje kjo e regjistruar shtator të vitit të kaluar (Lexo këtu). Gjykata ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për të, ndërsa vijon të jetë person në kërkim. 

Një tjetër personazh i njohur është edhe italiani Bruno Adolfo Pomenti i cili në vitin 2015 u dënua me 7 vite burg me akuzën e vjedhjes së bankave dhe arkave të kursimit. Pometi ishte me rezidencë në Itali, ndërsa u prangos në janar të këtij viti në një hotel të njohur në Ciocaria, një qytezë në provincën e Frosinones në Itali. Në vitin 2012 italiani mashtroi me një çek të falsifikuar një bankë të nivelit të dytë në Elbasan, duke tërhequr shuma të konsiderueshme parash.