Policia kap në BEFASI 22-vjeçarin që kishte kthyer banesën në 'shtëpi bari'!Sekuestrohen 300 bimë...

24 Dhjetor, 09:40 | Përditesimi: 24 Dhjetor, 09:40

 

Shkodër/ Operacione të njëpasnjëshme nga strukturat e DVP Shkodër për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave. Finalizohet faza e katërt e operacionit policor të koduar “Neonët 4”. Shkon në 7 numri i ambienteve të zbuluara dhe të goditura në kuadër të këtij operacioni. Kishte marrë me qira një banesë në Velipojë dhe e kishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, arrestohet në flagrancë një 22-vjeçar nga Vau i Dejës. Në pranga edhe 1 punonjës i OSHEE-së, ndërsa 2 punonjës të tjerë u proceduan penalisht për shpërdorim detyre, kryer në bashkëpunim. Sekuestrohen 300 bimë të dyshuara narkotike kanabis, një sasi kanabisi, 125 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, 4 celularë dhe një përforcues grushti. Në vijim të planit të masave për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me ato të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, dhe të mbështetura nga Forca Operacionale dhe “Shqiponjat”, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të mbyllura, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, tharjes dhe përpunimit të tyre për shitje.

I.M/Shqiptarja.com