Pr/buxheti 2025, Agalliu: Lë për të dëshiruar! Braçe: Skemat sociale, pensionet dhe ndihma ekonomike të pamjaftueshme! Çfarë ka të re ky buxhet

5 Nëntor, 12:01

Pr/buxheti 2025 vijon të diskutohet në komisionin e Ekonomisë.

Pjesë nga diskutimi

Agalliu : Lë për të dëshiruar buxheti që merr arsimi, duke ditur që të gjithë ta kërkojnë mbi 5%, jemi të fundit në rajon. Po ashtu edhe shëndetësia merr vetëm 2.9% të PBB-së.

Dy sektorë të rëndësishëm, arsimi po cedon dita ditës. Buxheti për bujqësinë është shumë i ulët, në raport edhe me problematikat që ka pasur ky sektor. Duhet të shikohet mundësia për të rritur buxhetin për ish të përndjekurit politik, sepse duhet të ishte përmbyllur si proces. Ju duhet të spastroni administratën publike nga numri i shtuar i stafit.

Braçe: Pr/buxheti është në rregull me të gjitha formalisht, çfarë është e re në këtë buxhet? Ne shohim përqendrim në dy sektorë të mëdhenj, ndërtim dhe turizëm, pra rritja përqendrohet vetëm këtu. Kemi ndonjë plan për të hapur fusha për investime të tjera, përtej ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme? Politika aktuale të shtyllës sociale janë të pamjaftueshme, pensionet janë të pamjaftueshme për të përballuar jetesën e të moshuarve, ndihma ekonomike edhe më keq se kaq, për të përballuar jetesën. Aftësia ndryshe/ invaliditeti e pamjaftueshme, pagesa e papunësisë e pamjaftueshme, rimbursim i medikamenteve e pamjaftueshme dhe nuk ka shënjestrim, sepse skema e ilaçeve, ndihma ekonomike apo e invaliditetit shkon atje ku nuk e meritojnë. A mund ti rishikoni për të vlerësuar pamjaftueshmërinë, por edhe për efikasitetin e tyre që ti marrin ato që i meritojnë?

Kur e ndërmorëm reformën e pagave ishte për të rritur produktivitetin, a keni bërë ndonjë analizë për rezultatet? Pyetja tjetër a nuk ka rënë i gjithë procesi i planit për të ardhurat, pasi gjithmonë ka rënë, se kemi mbledhur gjithmonë më shumë se plani ose më pak?

Eksport-import-turizëm, nëse turizmi është në rritje të fortë, ajo që vërejmë janë eksporte në rënie në vlerë dhe importe në rritje, që nuk reflektojnë rënien e çmimeve dhe kursin e monedhës. Si është e mundur që turizmi vetëm po na sjellë import?