Prishi vetë banesën te 'Unaza e Re', Rama: Ukë Çelkolaj shembull i bashkëqytetarëve të komunitetit

30 Nëntor 2018, 09:19

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur ta nisë ditën këtë të premte me një video ku pasqyrohet shembja e banesave të paligjshme të njërit banor të "Unazës së Re", në kuadër të projektit të zgjerimit të saj. Përmes rrjetit social “Facebook”, Rama ka zgjedhur ta cilësojë vazhdën e protestave të banorëve të zonës si një ngërç të sajuar artificialisht. Duke e lidhur me deklaratat e bëra së fundmi të Ukë Çelkolajt, i cili pranoi pa kundërshtuar prishjen e dy objekteve të tij, kreu i ekzekutivit shkruan më tej se ky i fundit është një shembull kuptimplotë për bashkëqytetarët e komunitetit në fjalë.

MIRËMËNGJES! Dhe me këtë reflektim qytetar të Ukë Çelkolajt, i cili zgjodhi të kontribuojë për zgjidhjen e ngërçit të sajuar artificialisht tek Unaza e Re, duke dhënë një shembull kuptimplotë për të gjithë bashkëqytetarët e atij komuniteti, ju uroj një ditë të qetë!

Edi Rama, Kryeministër

Dy ditë më parë, Ukë Idriz Çelkolaj nga Tropoja i premtoi kreut të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj se nuk do të bëhej pengesë për zhvillimin e projektit të zgjerimit të "Unazës së Madhe" dhe se do t'i prishte vetë banesat e ndërtuara pa leje. Prishja e dy objekteve të tij nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit ka filluar ditën e djeshme dhe siç shihet edhe nga pamjet, Uka ka qenë i pranishëm gjatë atij momenti. Paralelisht, ai bëri thirrje se tashmë ka ardhur koha që banorët e zonës të mos bëhen më pengesë e zhvillimit të këtij segmenti të Unazës.

    No videos found.