Privatizimi i ‘Albpetrol’ në 2012, fituesi mashtroi me garancinë 85 mln euro, prokuroria mbylli skandalin

11 Dhjetor 2018, 19:29

Qeveria shqiptare ka anuluar këto ditë kontratën me firmën ''D.H. Albania'', dega shqiptare e një kompanie amerikane, që u shpall fituese në Lotin e parë të Unazës së Re Tiranë dhe në një tender me OST, menjëherë sapo u zbulua se përfaqësuesit e saj kanë paraqitur dokumenta të falsifikuara tek Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në operacione tenderimi. Menjëherë qeveria ka sekuestruar edhe pagesën që është bërë për garancinë e ofertës, që përfaqëson 10% të shumës së ofruar, që ishte ngurtësuar në favor të shtetit në momentin që subjekti hyri në tender. LEXO KETU Bëhet fjalë në total për rreth 3 milionë euro. Në rast se tenderi anulohet për faj të subjektit, në fakt, ligji parashikon që shuma të konfiskohet. Gjithë dokumentacioni është dorëzuar në prokurori, që po hetohet për të identifikuar dhe për të dënuar autorët e mashtrimit brenda dhe jashtë administratës publike

Por nuk ka ndodhur kështu saktësisht gjashtë vjet më parë, në dhjetor 2012, kur tenderi i madh për privatizimin e 85% të aksioneve të Albpetrolit dështoi, por qeveria Berisha nuk arkëtoi asnjë qindarkë dhe as prokuroria nuk ka vepruar ndaj fajtorëve. Fituesi i tenderit kishte mashtruar shtetin shqiptar, duke depozituar si 10% e vlerës së tenderimit një garanci false të lëshuar prapë me vulat e një institucioni bankar amerikan prej 85 milionë eurosh.

Skandali plasi kur u zbulua se konsorciumi ‘Vetro Energy’ që ishte shpallur si fitues i procedurës së privatizimit me një vlerë 850 milionë euro, nuk pagoi 170 milionë euro të parashikuar nga ligji si garanci për nënshkirmin e kontratës, të llogaritur në 20% e vlerës totale.

Kontrata natyrisht u anulua, por kur autoritetet shqiptare deshën të arkëtojnë 85 milionë euro të garancisë, zbuluan që edhe garancia ishte e falsifikuar, pavarësisht faktit që ministria e kishte pranuar si të rregullt në dosjen e tenderimit.

Kjo e fundit duhej të ishte lëshuar nga një institucion financiar me reputacion të lartë dhe qeveria deklaroi në Fletoren Zyrtare se garancia ishte kryer në ‘American Chartered Bank’ me qendër në Çikago. Por ‘American Chartered’ doli se nuk kishte lëshuar asnjëherë një dokument garancie. “American Chartered Bank’ nuk është përfshirë në transaksionin në fjalë,” deklaroi një nga këshilltarët ligjorë të kësaj banke në një e-mail që mban datën 13 dhjetor 2012.

Qeveria ‘Berisha’ duket se ndikoi më pas edhe te prokuroria shqiptare, e cila vetëm dy muaj pas skandalit, në shkurt 2013, hyri në lojë, duke iu drejtuar homologëve amerikanë me një letër-porosi për të pyetur drejtuesit e bankës amerikane për arsyen e mostransferimit të kësaj shume teorikisht të ngurtësuar si garanci nga firma fituese. Por garancia ishte falsifikuar dhe shuma nuk ishte ngurtësuar kurrë. Nuk kuptohet se përse dhe kush “ngriu” hetimet e mëtejshme të çështjes në fjalë, pa përcaktuar as përgjegjësinë e zyrtarëve shqiptarë, të cilat certifikuan falsifikimin. As autori i mashtrimit, as bashkëfajtorët pranë qeverisë shqiptare, atëhere nuk u zbuluan: prokuroria mbylli çështjen dhe privatizimi dështoi me një dëm për shtetin shqiptar prej 85 milionë eurosh.