Prizren/ Momenti kur ariu 'shikohet në sy' me banorin: Mashallah sa qenka

12 Nëntor 2019, 09:56

Kafshët e egra duket se janë kthyer në problem për banorët në zonën e Kukësit dhe Prizrenit.

Disa banorë të Zhurit në Prizren fundjavën që e lamë pas kanë filmuar një ari të rritur që u shfaqet vetëm pak metra larg tyre. Ata gjatë kohës sa kishin qëndruar në malet e  Koretnikut, aty kishin hasur në një ari, ndërsa kanë arritur edhe ta xhironin atë si zbriste nga pylli për në rrugë.  Siç shihet edhe në pamjet e mëposhtme  ariu ndodhen shumë pranë banorit që e filmon, teksa kafsha e egër sapo e pikas largohet me vrap.

"Shiko, shiko sa është. Ja po zbret në rrugë. Mashallah është gjynah ta vrasësh", degjohet të thotë personai që e filmon.

Kujtojmë se një ari u bë temë për disa javë pasi shkaktoi dëme jo të pakta tek disa fermerë në komunën e Prizrenit dhe për më tepër ngjalli frikë tek banorët e zonës ku u shfaq disa herë.

Po kështu edhe në malet e Shqipërisë ka patur probleme me kafshët e egra. Me 20 shtator Ekrem Onuzi 45-vjeç  u sulmua nga një ari, teksa kulloste bagëtitë në Bjeshkët e Gjalicës.

Po kështu një tufë me ujq zbritën ditën e djeshme në Kariç të Matit. Banorët arritën të vrisnin disa prej tyre ku më pas edhe i torturuan duke i qëlluar me drunj. Ata u shprehën se ndiheshin të rrezikuar për jetën e fëmijëve pasi nuk është e zakontë që ujqit të zbresin deri në zonat e banuara.