Prokuroria kërkesë bashkisë Tiranë dhe policisë: Brenda 48 orëve sillni dosjet, na lajmëroni para çdo shembje

3 Dhjetor 2019, 12:34 | Përditesimi i fundit: 2019-12-03 14:23:26

TIRANE-Prokuroria e Tiranës në datë 27 Nëntor, pra një ditë pas tërmetit ka regjistruar procedimin penal për nisjen e hetimeve për ndërtimet abuzive. Ndërkohë që dje organi i akuzës së kryeqytetit i ka kërkuar bashkisë së Tiranës dhe policisë që të lajmërohen para cdo shembje.

Shkresa të cilën e ka siguruar gazetari i Report Tv Arsen Rusta është me firmë te drejtueses  së prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj. Gjithashtu prokuroria kërkon nga bashkia dhe policia që t'u vendosin në dispozicion për 48 orë, pra deri në datë 5 dhjetor të gjithë listën me objektet e dëmtuara. "Na vini në dispozicion listën e objekteve të dëmtuara" thuhet ndër të tjera në shkresën e firmosur dje. Gjithashtu prokuroria kërkon dokumentacionin e plotë tekniko-ligjor të ndërtesave apo banesave në të cilat janë konstatuar dëme nga tërmeti. Policia dhe bashkia nuk kanë raportuar asnjë informacion në Task Forcën e prokurorisë për objektet e dëmtuara. 

Por pas shkresës së 27 nëntorit, Imeraj ridërgon një tjetër shkrese, ku kërkon që brenda 5 dhjetorit të dorëzojnë raportet si policia dhe bashkia. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta mëson nga prokuroria se për cdo vendngjarje, fillimisht bëhet fotografimi i vendit të ngjarjes më pas matjet e trashësisë së hekurit dhe sa është e dukshme edhe fijet e hekurit dhe merret një kampion betoni për të parë përmbajtjen. Dhe më pas bëhet një raport ku jepet miratimi i prokurorisë për të bërë shembjen e atyre që janë bërë të pabanueshëm. Kryeministri Rama tha sot se pallatet e vjetra në Kombinat, ku edhe vdiq një nga 51 personat e tërmetit tragjik, do të shemben.  

Prokuroria e Tiranës, Durrësit dhe e Krujës nisën tre hetime për dëmet e mëdha që la pas tërmeti i 26 nëntorit. Një hetim është për godinat e shembura që lanë pas viktima nënë rrënoja. Hetimi i dytë po kryhet për 200 godina të dëmtuara në Durrës. Ndërsa hetimi i tretë është për qindra godina te tjera të dëmtuara në Tiranë. Prokuroria ka marrë në terren edhe mostrat e nevojshme (Hekur, beton, tulla...) të cilat do të analizohen në laboratorë për të përcaktuar për fortësinë e tyre.