TIRANË - Prokuroritë e Tiranës, Durrësit dhe e Krujës kanë nisur tre hetime për  dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, ku nga shembja e disa godinave humbën jetën 51 persona.

Hetimi i parë nga Prokuroritë po kryhet për godinat e shembura që nën rrënojat e tyre zunë poshtë njerëz ku shumë prej tyre nuk mundën të dalin të gjallë. Hetimi i dytë po kryhet për dëmtimin e rëndë të godinave në qytetin e Durrësit por edhe në Thumanë, për të cilat do të hetohet e gjitha puna se si janë ndërtuar dhe personat përgjegjës. Ndërsa hetimi i tretë po kryhet për godinat e dëmtuara në Tiranë.

Tragjedia që futi në zi Shqipërinë, dyshohet se shënoi viktima për shkak të ndërtimeve pa leje dhe të mos kryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe të personave përgjegjës e mbikëqyrës për përmbushjen e rregullt të punës.

Në strukturat e rrënuara në Durrës, Thumanë e në Tiranë prokuroria ka marrë në terren mostrat e ndërtimit të godinave, siç janë fijet e hekurit, copat e betonit, rëra etj. Këto mostra do të analizohen në laboratorët përkatës ku do të përcaktohet edhe nëse kanë qenë të rregullta dhe në masën e duhur për të mbajtur peshën e ndërtimeve të kryera.

"Prokuroria i ka marrë të gjitha provat materiale. Mostra betoni, mostra materiale, hekuri, aty ku ka pasur viktima, mbetj gjaku, dhe po kryhet hetim i veçantë. Për ndërtimet pa leje, dhënien e ndihmës për ndërtimet pa leje, kolaudime fiktive. Ka pasur raste si Tropikal për shtesa. Nuk kanë munguar në këto pallate, vendosja e çative etj. Në brendësi tërmeti ka nxjerrë atë që fshihej brenda ndërtesave, vetëm fasada nga jashtë dukej e mrekullueshme. Megjithatë edhe sipas sizmologëve vala mund të zgjasë por nuk ka nevojë për panik. Hetimi do të bëhet për shumëkënd se pse e ka lejuar ndërtimin në atë pjesë pa leje, policia bashkiake, Inspektorati i Ndërtimit e policia e zonës. Pjesa tjetër është për inxhinierët, që nuk mund të kryeëj ndërtime pa leje. Po ashtu zbatuesit, mbikëqyrësit, ata që e marrin në dorëzim dhe ato që e kolaudojnë. 99 % e objekteve nuk i kanë shkallet e emergjencës, shkallët metalike, hetimi do të ketë edhe pjesën e zbatimit të lejeve të dhëna por edhe ata pa leje" raportoi gazetari i Report Tv, Arsen Rusta.

Në vijim të veprimeve të kryera, po u kërkohet informacion Bashkive së Tiranes e të Durrësit por edhe të Krujës për banesat e evidentuara tashmë si të prekura nga tërmeti dhe të klasifikuara jo në kushtet e duhura për banim. I njëjti informacion i është kërkuar dhe strukturave të tjera shtetërore.

Tre prokuroritë kanë përpiluar edhe listat me investitorët, biznesmenë, administratorë, zbatues projekti, inxhinierë, kolauditatorë , zyrtarë shteti, dhe të gjithë personat e tjerë që janë përgjegjës për ndërtimet që kanë pësuar dëme dhe lanë më pas viktima të shumta. Pritet që emrat në këto lista të merren në pyetje brenda javës, ndërsa për të tjerë që rezulton të jenë larguar jashtë Shqipërisë do të merren edhe masa për ndalimin e tyre.

Task-forca e ngritur në Durrës dhe në Tiranë, mendohet të vijojë për disa muaj pasi prokuroritë dyshojnë se vdekjet nuk kanë ardhur vetëm si pasojë e goditjes nga tërmeti por edhe nga dora e njeriut për ndërtimet e bëra.

Konkretisht Prokuroria e Durrësit çështjen e ka regjistruar më 29 nëntor, tre ditë pas tërmetit shkatërrimtarë që mori shumë jetë njerëzish. Në këtë dosje do të hetohen edhe nëpunësit shtetërorë të ngarkuar me mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve. Çështja është regjistruar për veprat penale; "Ndërtim pa leje", dhe "Shpërdorim detyre". Po ashtu, çdo dokumentacion lidhur me këto ndërtime, si projektet, leje ndërtimi, akt kolaudimi etj., do të sekuestrohen në çdo institucion shtetëror ku ato ndodhen.

Po kështu Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin për veprat penale 'Shpërdorim detyre', ku do hetohet për organet që kane miratuar lejet e ndërtimit dhe nëse ato janë dhënë në mbështetje të ligjit, si dhe nëse ndërtuesit kanë respektuar lejen e marrë, 'Ndërtim i paligjshëm,  'Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm.

Ndërsa për sa i përket Prokurorisë së Krujës procedimi penal është regjistruar për akuzën 'Shpërdorimit të detyrës', 'Ndërtimit pa leje' dhe 'Falsifikimit të dokumenteve për ndërtimet' në zonën e Krujës, kryesisht në Thumanë dhe Bubq.

Dhjetëra jetë të humbura u nxorrën nga rrënojat e godinave të shkërmoqura nga tërmeti,  por edhe qindra pallate dhe banesa të tjera që u dëmtuan, por që, duke qenë se nuk u shembën krejtësisht, nuk shkaktuan viktima, mendohet të jenë ndërtuar në mënyrë abuzive.

Kujtojmë se gjendja e mjerueshme e tre pallateve në Thumanë që u shembën pas tërmetit, është denoncuar prej vitit 2010 por nga kjo kohë e deri më 26 nëntor, askush nga zyrtarët nuk kishte marrë masa, për të parandaluar një tragjedi të tillë. Mosveprim ky që në ditët në vijim ka shumë gjasa që të shoqërohet edhe me verifikime hetimore nga prokuroria e Krujës.

Nga ana tjetër objektet e rrëzuara si Bar-Restorant dhe Hotel “MiraMare” në Durrës, janë ndërtime që kanë nisur si godina 2 katëshe dhe që më pas në vitet në vijim, janë rritur me leje ose pa lejë nga bashkia Durrës, me tre apo katër kate të tjera. Kjo ka bërë që pesha mbi kolonat e projektuara për ndërtim dy kate, të rritet mbi kapacitetin e mundshëm.

Ndërkohë, në ambientet e prokurorisë së Tiranës janë paraqitur edhe oficerë të policisë së komisariatit nr.3 ku kanë filluar verifikimin e dëmeve nga tërmeti. Kjo prokurori ka pësuar çarje nga kati i parë deri në të katërt. Nga çarja, dy godinat që përbëjnë prokurorinë e Tiranës janë ndarë nga njëra-tjetra në disa vende me një diametër 10 centimetra. Kështu, organi i akuzës ka nisur hetimet edhe për dëmet e shkaktuara nga tërmeti pikërisht në godinën e prokurorisë.