Prokuroria kërkon 8 vite burg për ish-ministrin Tahiri: Nuk e çoj ndërmend të dënohem, besoj tek e vërteta ime

10 Shtator 2019, 18:52 | Përditesimi: 10 Shtator 2019, 18:52

TIRANE - Ish-ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri la Gjykatën për Krime të Rënda rreth orës 16:30, ku kishte mbërritur prej mëngjesit (në 09:00). Aty, Tahiri u njoh me pretencën e Prokurorisë, që kërkoi dënimin e tij me 12 vite burg, që në rast dënimi konvertohen në 8 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar (ulje me 1/3), për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.

Në një seancë të gjatë, menjëherë pas shpalosjes së argumenteve të tre prokurorëve  Arenc Çela, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, Saimir Tahiri për më shumë se dy orë, mbrojti veten me një tabelë, skica e fakte të shkruara në të. E quajti një proces të montuar e të pabazuar në prova dhe kërkoi pafajësi. Në mungesë u bë edhe mbrojtja e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës Jaeld Çela, ndërsa pritet që vendimi përfundimtar i Gjykatës të jepet më 19 shtator

Ndër provat më të rëndësishme që përdori Tahiri duke pretenduar pafajësinë ishin 6 shkresa dërguar ish ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli për mosfunksionimin e radarëve, dokumenti sekret në të cilin Jaled Çela njoftonte prokurorinë për aktivitetin kriminal të Habilajve dhe e-maili e zyrtarit të policisë së Vlorës, Gjergji Kohilës për prokurorin Dritan Prenci duke njoftuar po për aktivitetin kriminal të Habilajve.

Akuza e argumentuar nga prokuroria ishte për përfshirjen e ish-ministit në 4 episode trafikimi droge nga 2013-2015, por pa dhënë detaje për rolin konkret të tij.

Saimir Tahiri përfundoi i pandehur pas 18 muajsh hetimi. Në këtë proces Tahiri është i pandehur me Jaleld Celën, ndërsa për ish-Sokol Boden, drejtor i postës në Dhërmi dhe Gjergji Kohilën, ish-shefi i Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Vlorë, procesi është veçuar nga Krimet e Rënda.

Seanca gjyqësore është ndjekur edhe nga përfaqësues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

.

r.k./Shqiptarja.com