Protesta e studentëve për rikthimin në auditore, ISHP: Rrezikojnë infektim me COVID

3 Nëntor 2020, 18:03

Ashtu siç e paralajmëruan, studentët dolën sërish në protestë përpara ministrisë së arsimit.

Ndonëse në një numër më të pakët se një ditë më parë, ata vijuan me thirrje për kërkesat e tyre, që i dorëzuan në ministri.

Jemi sërish në protestë me të njëjta kërkesa, duam që mësimi të alternohet, është lehtësisht e realizueshme, mjafton vullneti i institucioneve. Presim një reagim nga ministrja e arsimit por dhe nga kryeministri dhe çdo institucion tjetër përgjegjës dhe ti jepet sa më shpejt një zgjidhje kësaj çështje”-u shprehën disa studentë.

Edhe këtë të martë nuk munguan thirrjet e policisë për t’u shpërndarë.Të nderuar qytetarë, ju lutem hapeni rrugën!

Grumbullime të tilla në momentin që vendi ynë është në një trend rritës të rasteve të reja me covid-19, rrit mundësinë për të infektuar më shumë individë, thotë specialistja pranë ISHP, Jonida Haxhiu.

Çdo formë proteste për të mos i respektuar rregullat e parandalimit, në një farë mënyre rrit rrezikun e infektimit për këta individë, për familjarët e tyre, për komunitetin. Çdo grumbullim, çdo situatë ku është e pamundur apo e vështirë ruajta e distancës, rrit edhe mundësinë dhe rrezikun për infektim me covid-19”-tha specialistja.

Sipas Haxhiut, vendimi për mësimin online që i gjeti të papërgatitur studentët, është vendim i marrë në një situatë të vështirë.

“Ajo që dua të theksoj është që janë vendime të marra në një situatë të vështirë, në një situatë ku numri i infektimeve është i lartë, numri i të infektuarve po rritet. Është menduar si një metodë efektive për të këputur zinxhirin e transmetimit pra mësimi online është konsideruar si një masë shumë e rëndësishme parandalimi”-u shpreh Haxhiu.