Protesta e studentëve / Pjesa e parë

10 Dhjetor 2018, 07:23

Në fokus të emisionit "Repolitix" në Report Tv mbrëmjen e sotme ishte protesta e studentëve, të cilët prej katër ditësh me radhë janë tubuar përpara Ministrisë së Arsimit. Pasi fituan "betejën" për heqjen e tarifës për lëndët e mbartura pjesë e katër kërkesave të tyre, studentët sot ngritën edhe katër kërkesa të tjera, duke i çuar ato në tetë (Lexo këtu).

Por gjatë debatit në emisionin "Repolitix", ku të ftuar në panel ishin Arlind Qori, përfaqësues i 'Lëvizja për Universitetin', Olti Rrumbullaku, pedagog i Universitetit të Tiranës, Plarent Ndreca, ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Taulant Muka, ish zëvendësministër i Arsimit, u zbuluan edhe dy kërkesa të tjera, duke i çuar ato në 10-të dhe për rrjedhojë rrezikohet të thellohet edhe më tepër hendeku mes qeverisë dhe studentëve.  

Pedagogu i njohur Arlind Qori, tha se studentët, por edhe trupa pedagogjike, kërkojnë edhe ndryshimin e ligjit të Arsimit të Lartë, pasi sipas tij, ligji aktual ka rënë. Të njëjtin qëndrim ndau edhe studiuesi dhe ish-zv/ministri i Arsimit Taulant Muka, mbështetës i protestës, i cili shkoi edhe më tej kur tha se ministrja Lindita Nikolla duhet të japë dorëheqje nga posti. Ndër për ish-sekretarin e Përgjithshëm të MAS, Plarent Ndreca, kërkesat e studentëve janë të dyshimta, pasi sipas tij ata po refuzojnë dialogun me qeverinë.