Protesta/ Grupet nga 6 universitetet e Tiranës vijojnë bojkotin, i bashkohen edhe studentët e 'Aleksandër Moisiut'

15 Janar 2019, 18:18

Një grup i vogël studentësh nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, Historisë dhe Filologjisë, Mjekësisë dhe Shkencave Sociale vijojnë të bojkotojnë mësimin në shenjë proteste duke sfiduar temperaturat e ulëta. Në solidarizim me ta janë bashkuar edhe një grup studentësh nga universiteti “Aleksandër Moisiu”, të degëve të biznesit dhe juridikut, të cilët nuk janë futur në klasa. Ndërkohë që studentët e fakulteteve të tjera kanë shkuar normalisht në mësim.

Studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës kanë vijuar me thirrjet për realizimin e të gjitha kërkesave të ngritura prej tyre. Fillimisht ata bllokuan derën e fakultetit por pastaj e hapën dhe lejuan nxënësit e tjerë që të vazhdonin normalisht mësimin.

Disa grupe studentësh në universitet të ndryshme kanë nisur të bojkotojnë mësimin që prej datës 7 janar. Ndonëse kryeministri Edi Rama deklaroi ditën e djeshme se nga sot nëpër sekretariatet e fakulteteve do të ketë dy përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Financave që do të sqarojnë për pagesën e tarifave studentët (Lexo këtu), këta të fundit duket se nuk do të zmbrapsen por kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre.

Në fund të vitit 2018, studentët protestuan për 17 ditë me radhë për 8 kërkesa, të cilat qeveria i plotësoi përmes Paktit për Universitetin (Lexo këtu) Ndër këto kërkesa përmendej ulja e tarifës së studimeve, kushtet më të mira në universitete dhe konvikte, etj.

    No videos found.