Kryeministri Edi Rama mbrëmë nga Korça, referuar debateve dhe fjalorit në parlament u shpreh se ‘kush fle me qenin gdhihet me pleshtin’. Ditën e enjte, duam apo nuk duam shkojmë dhe futemi te ajo kasollja qenve' (lexo këtu). Por, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi po nga Korça iu përgjigj kreut të qeverisë shqiptare. 'Ai nuk la kriminel pa futur në parlament për të pasur 74 mandate për të krijuar qeverinë e qenve dhe pleshtave'.
Më pas Kryemadhi akuzoi qeverinë për një tjetër vjedhje, këtë herë me energjinë elektrike. "Qeveria jonë me dy individë ia blen KESH-it me 39 euro megavatin dhe pas katër orësh ia shet OST-së me 49 euro megavatin. Këta dy individë jo vetëm që kanë shkelur ligjin, por kanë vjedhur për katër orë 4.5 milionë euro".
Në fund, kryetarja e LSI, ftoi të gjithë shqiptarët që të bashkohen në protestën e opozitës në datë 16 shkurt për të rrëzuar Edi Ramën. "Në 16 shkurt nuk janë vetëm banorët e Unazës së Re, që duan t'u prishin shtëpitë. Studentët i dhanë një mësim të mirë jo vetëm opozitës, por edhe popullit se po të protestosh fiton.
Rrëzuan 90% të qeverisë së Edi Ramës, mendo sikur të jemi cdo ditë në protestë. Ejani ti japim dërrmën këtij krye krimineli që ka marrë peng të ardhmen e shqiptarëve. Tani duan të çojnë moshën e pensionit 70-vjeç, jo vetëm që nuk është e drejtë, por është grabitje. Pasi i grabitën paratë e shqiptarëve dhe blenë kolltuqe dhe bileta avioni dhe thonë do ua çojë moshën e pensionit 70-vjeç" përfundoi Kryemadhi.