Protesta/ Studentët ndahen në tre grupe, një pjesë prej tyre nga Kryeministria: Nuk do lëvizim, jemi pajisur me mbulesa dhe ushqim

11 Dhjetor 2018, 23:10

TIRANË- Pas skadimit të afatit të vënë nga studentët për pranimin e 8 kushteve nga ana e qeverisë, që ishte ora 16.00, studentët janë ndarë në tre grupe. Një pjesë prej tyre ka vendosur të qëndrojë përpara Ministrisë së Arsimit, ku janë mbledhur prej orës 10:00, një pjesë tjetër përpara Kryeministrisë dhe në "Zog të Zi", ku kanë bllokuar qarkullimin rrugor. Kryeministri Edi Rama ka vendosur të reagojë ndaj përcarjes së tyre përmes rrjetit social "Twitter" dhe ka bërë me dije se pavarësisht gjithckaje, ndryshe nga opozita, ai i përkrah ato. Në kuadër të tetë kërkesave të parashtruara nga studentët, Rama vijon të insistojë për dialog në një tryezë të përbashkët. E megjithatë, studentët e zhvendosur përpara Kryeministrisë kanë deklaruar se do të vijojnë të protestojnë edhe në orët e mbrëmjes. 

Sot paradite, kryeministri Edi Rama u bëri sërish ftesë për dialog studentëve, të cilët po protestojnë për të tetën ditë për plotësimin e 8 kërkesave. Rama i ftoi studentët që të vijnë për të dialoguar në sallën e Kuvendit, përballë tij dhe ministrave të qeverisë dhe të mos bëjnë ultimatume që kanë prapavijë politike.

Studentë të disa universiteteve janë mbledhur që në mëngjes përpara Ministrisë së Arsimit, ndërsa me ta janë bashkuar edhe gjimnazistë të kryeqytetit që kanë braktisur procesin mësimor. Protesta të studentëve po zhvillohen edhe në disa rrethe. Kjo është dita e 8-të e protestës së studentëve dhe është caktuar prej tyre si ‘afati’ i fundit për qeverinë për të plotësuar 8 kërkesat e tyre, ku ndër më kryesoret janë përgjysmimi i tarifave për të gjitha ciklet e studimit, përfaqësimi i studenteve në senatin e akademik dhe bordet e universitetit si edhe rritja e investimeve për përmirësimin e kushteve në konvikte dhe bibloteka. Studentët kanë paralajmëruar se do të përshkallëzojnë protestën e tyre deri në grevë urie.

Kryeministri Edi Rama, dje në një komunikim "live" në "Facebook", premtoi për studentët më shumë nga sa ata kanë kërkuar në 8 pikat e tyre drejtuar qeverisë. (LEXO KËTU) Por ata vijojnë të insistojnë në përmbushjen e të gjitha kërkesave, duke theksuar se nuk e shohin të nevojshme komunikimin e drejtpërdrejtë me të. 


Kërkesat e fundit/ Letra drejtuar Ramës, Ruçit e Nikollës nga Këshillat Studentorë/ Datë 9 Dhjetor

1. Rritja e buxhetit në 5% e GDB me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për cdo nivel studimi, përmirësim e mësimdhënies dhe infrastrukturës (universitete dhe konvikte).
2.Transparence me buxhetin nga ministria e Arsimit dhe IAL-ve, publikimi të gjitha shpenzimeve online
3.Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekanë, rektorë dhe cdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.
4. Rishikimi i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.
5.Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat Studentore, ligji i arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që bordi i administrimit të IAL-eve të ketë numër të barabartë votash si nga MAS dhe IAL-t si edhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
6.Pajisja e të gjithë studentëve me kartën e studentit brenda vitit akademik 2018-19
7.Ndërtimi i bibliotekave me starndarde europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.
8.Vlerësimi i performancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikimi i tij online dhe regjistrimi i leksioneve.

    No videos found.