Protestat për vrasjen e Rashës, Basha: Krenar për rininë e sotme që si në 1990 nuk rinë duarkryq

11 Dhjetor 2020, 18:19 | Përditesimi i fundit: 2020-12-11 18:21:22

Pas dy ditëve protesta të dhunshme, kreu u PD Lulzim Basha ndërsa i ka hedhur fajin qeverisë për ngjarjen e rëndë të vrasjes së Klodjan Rashës, ka thënë se ndihet krenar për rininë e sotme, duke e krahasuar me atë të para 30 viteve, që sipas tij nuk rri duarkryq.

" Në këto ditë të rënda unë shpreh edhe njëherë ngushëllimet më të thella familjes dhe shpresoj që të gjejnë forcën për të përballur një ngjarje kaq dëshpëruese. Edhe pse e di që s'ka fjalë që të mund të ngushëllojë zemrat e plagosura nga një humbje kaq e madhe sikurse vrasja e një djali në lulen e moshës së rinisë. Sonte në këtë ditë të shënuar e për këtë rast të rëndë dua gjithashtu të shpreh krenarinë e madhe për rininë  e sotshme shqiptare.

Ashtu sikurse para 30 vjetësh, edhe të rinjtë e sotshëm, nuk durojnë dot rrenat e propagandës qeveritare,nuk qëndrojnë dot symbyllur e duarkryq para padrejtësisë e krimit shtetëror, për të mbrojtur të vërtetën dhe të drejtë nuk kanë frikë dhuna e policisë që merr urdhra partiak. Të gjithë e dimë dhe e dëgjoj kudo, edhe nga socialistët e ndershëm se ka ardhur koha për ndryshim dhe se nuk mund të vazhdohet më kështu.  Një gjë është e sigurtë, me Ramën akoma në qeveri, papunësia do të vazhdojë të rritet, kostoja e jetesës do të shtohet, të rinjtë do të largohen nga vendi, e jeta do bëhet edhe më e pasigurtë", tha Basha