Nata e 2-të e protestave në Tiranë tregoi një fytyrë të tubimit të panjohur deri më sot në vendin tonë. Dhuna ishte kryefjala, e objektivi ishte shkatërrimi i pronës publike, ndërsa efektivët arrestuan disa dhjetëra protestues.

As dorëheqja e Ministrit të Brendëshm Sandër Lleshja nuk e ndryshoi rrjedhën e saj. Në pamundësi për të sulmuar objekte publike si Kryeministria dhe Ministria e Brendshme, për shkak të barrierave të policisë, protestuesit ndryshuan objektiv.

Ata u endën fillimisht para Ministrisë së Brendshme ku kanë goditur me gurë, flakadanë dhe disa zbukurime të vendosura në qendër për festat e fundvitit ndaj efektivëve të policisë. Më pas protestuesit u spostuan në zonën e ish-Bllokut e në disa lagje të tjera të Tiranës.

Për rreth 3 orë, ata nuk kursyen koshat e mbeturinave, stolat, tabela të qarkullimit rrugor dhe shumë sende të tjera duke i dëmtuar. Stacionet e autobusëve dhe semaforët u dëmtuan rëndë.

Pre e dhunës ka rënë dhe selia e Partisë Socialiste hyrja e së cilës u shkatërrua. Ndërkohë edhe muzeu Bunk'Art u dëmtua rëndë në hyrjen kryesore ku protestuesit hodhën karrige dhe gurë. Edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e Muzeu Historik Kombëtar pati të njëktin fat ku protestuesit thyen disa prej xhamave të këtyre subjekteve.

Gjatë ditës së sotme policia nuk i lejoi për asnjë moment protestuesit të grumbulloheshin në një vend të përqëndruar. Makinat e policisë me ujë, të shoqëruara nga forcat speciale i ndoqën protestuesit  rrugicë më rrugicë për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës. Policia përdori dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Edhe zbukurimet në qendër të Tiranës u shkatëruan për të dytën ditë radhazi teksa disa qytetarë hipën në pemën e Krishtlindjeve për ta rrëzuar. Gjatë protestave të zhvilluara nuk munguan dhe shoqërimet në komisariat të disa protestuesve teksa Policia e Shtetit nuk ka dhënë ende një informacion zyrtar se sa ishte numri i tyre.

Në anën tjetër Ministria e Shëndetësisë njoftoi se gjatë përleshjeve janë plagosur 7 persona, 5 prej tyre efektivë policie ku njëri ka pësuar frakturë në këmbë. Gjithashtu janë plagosur dhe 2 protestues ku të gjithë ata po marrin trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:16
Mbi 2 orë protestë e dhunshme në Tiranë, 5 efektivë policie e 2 protestues të plagosur! 1 prej policëve me frakturë në këmbë

Ministria e Shëndetësisë ka raportuar se nga protesta e zhvilluar pasditen e kësaj të enjte janë lënduar 7 persona.

Prej tyre, 5 janë punonjës të policisë dhe 2 janë protestues të cilët aktualisht po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Traumës.

Njëri prej punonjësve të rendit është me dëmtime më serioze dhe pas ekzaminimeve të kryera, rezulton me frakturë të kërcirit.

Ndërsa gjatë protestës të zhvilluar ditën e djeshme, kanë marrë shërbim në spitale 16 punonjë të policisë dhe dy protestues, ku njëri prej punonjësve të rendit ka patur dëmtime serioze të syrit, me prognozë mjaft të rëndë.

Ora 22:06
VIDEO/ Momenti ku një prej protestuesve shkatërron semaforin në zonën e ish-Bllokut

Ky është momenti ku një prej protestuesve ka shkatërruar një semafor në zonën e ish-Bllokut.

Me një shkop në dorë ai godet semaforin derisa e ka shkatërruar.

Ndërkohë më herët shumë protestues të tjerë i kanë vendosur flakën disa prej koshave të mbeturinave si dhe kanë dëmtuar tabela të qarkullimit rrugor.

Ora 21:22
Protesta në Tiranë, Balla: Sa kohë PD drejtohet nga Berisha vizioni do të jetë vandalizmi! Lulzim Basha ku je futur?

1607632375_16076317063.jpeg

Teksa protesta ka agravuar në dëmtimin e disa prej institucioneve në Tiranë, kreu i grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla ka reaguar për dëmtimin e selisë së PS-së.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka drejtuar gishtin nga opozita si përgjegjës për dhunën e ushtruar nga ana e protestuesve.

“Sa kohë Sali Berisha të drejtojë PD, kjo parti do të ketë vizion rremujen, program vandalizmin dhe ekip katrahuren! Lulezim Basha ku je futur? Dil dhe distancohu nga dhuna apo s’e ben dot, s’ke faj! Sepse je ti pjese e organizimit te dhunes bashke me Moniken e me Ilirin, teksa derguat FRPD tende dhe ca nga ata te tiganit te Jales te godisnin me gure seline e Partise Socialiste”, shkruan Balla.

Ora 20:39
Një grup protestuesish ngjiten në pemën e Krishtlindjeve në qendër! Tentojnë ta rrëzojnë

1607629018_Screenshot1.jpg

Një grup protestuesish kanë tentuar që të ngjiten në pemën e Krishtlindjeve në qendër të Tiranës.

Ata tentojnë ta rrëzojnë pemën ndërsa kujtojmë se ditën e djeshme protestuesit i vendosën flakën.

Ora 20:18
VIDEOLAJM/Protestuesit thyejnë xhamat e selisë së PS

Protestuesit kanë thyer edhe xhamat e selisë së PS. Ata kama marrë koshat e mbeturinave të rrugës dhe i kanë hedhur në drejtim të xhamave në hyrje të selisë rozë.

Ora 20:16
Protestuesit shkatërrojnë muzeun Bunk'Art! Dëmtojnë hyrjen me karrige e gurë (FOTO)

Protesta e të rinjve në Tiranë ka agravuar dhe në dëmtimin e disa subjekteve të ndryshme.

Nga pamjet duket se protestuesit kanë dëmtuar hyrjen e muzeut Bunk'Art 2 pranë Ministrisë së Brendshme.

Protestuesit kanë hedhur një karrige dhe sende të tjera të forta duke thyer hyrjen kryesore.

 

Ora 20:11
Protestuesit futen në ndërtesat përpara Kryeministrisë, policia shoqëron disa persona (VIDEO)

Disa protestues janë futur brenda ambjenteve të ndërtesave përpara Kryeministrisë.

Policia ka bllokuar daljen nga kulla si dhe ka shoqëruar disa persona.

Ora 20:08
VIDEO-FOTO/ Shkatërrime, dhunë, xhama të thyer e institucione të dhunuara nga protestuesit! Pamjet nga protesta në Tiranë, dëmtohet selia e PS, Bunk'Art 2, KQZ, Muzeu Kombëtar dhe ambasada

Edhe gjatë ditës së dytë protesta është shoqëruar me tensione, shkatërrime, hedhje gurësh e djegie të koshave nga protestuesit. Protesta e sotme ka sjellë shumë shkatërrime  në zonë të ndryshme të Tiranë, duke qenë se protestuesit kanë qenë tepër të shpërndarë dhe jo të përqendruar në një pikë. Kjo ka sjellë dëmtim të tabelave rrugore dhe rrëzim të tyre. Thyerje xhamash, kosha të djegur, institucione të dhunuara dhe objekte të shkatërruara thuajse në çdo rrugë, që nga zona e ish Bllokut, pranë Ministrisë së Brendshme, në qendër, Myslym Shyri etj.

Pjesë e shkatërrimeve kanë qenë edhe Selia e PS-së dhe Bunk'Art 2.

Protestuesit kanë thyer edhe xhamat e selisë së PS. Ata kanë marrë koshat e mbeturinave të rrugës dhe i kanë hedhur në drejtim të xhamave në hyrje të selisë rozë. Nga pamjet duket se protestuesit kanë dëmtuar hyrjen e muzeut Bunk'Art 2 pranë Ministrisë së Brendshme. Protestuesit kanë hedhur një karrige dhe sende të tjera të forta duke thyer hyrjen kryesore.

Gjithashtu protestuesit kanë thyer xhamat e Muzeut Kombëtar dhe ato të KQZ teksa këto akte kanë vijuar dhe në disa rrugë të tjera të Tiranës. Ata kanë shkulur tabela të qarkullimit rrugor, tabela të emërtimeve të rrugëve si dhe stacione të ndryshme autobusësh. Protestuesit janë futur edhe brenda disa subjekteve përgjatë Bulevardit teksa policia ka shoqëruar disa persona. Edhe ambasada ruse ka rënë pre e këtyre akteve teksa kanë thyer xhamat. Gjithashtu protestuesit kanë thyer dhe xhamat ku qëndrojnë rojet e ambasadës zviceriane.

Ora 20:00
Protestuesit mblidhen sërish në Bulevard, policia hedh gaz lotsjellës dhe ujë (VIDEO)

Protestuesit janë vendosur sërish në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, por janë shpërndarë menjëherë nga policia përmes gazit lotsjellës dhe përdorimit të autoboteve me ujë.

Ora 19:53
Protestuesit bllokojnë me kangjella hyrjen e rrugës së Durrësit

1607626618_rrugadurrsit.jpg

Pas rreth 2 orësh protestë, qytetarët kanë bllokuar dhe hyrjen e rrugës së Durrësit nga ana e qendrës së Tiranës.

Ata kanë vendosur kangjellat e hekurit me të cilat policia kishte rrethuar Ministrinë e Brendshme.

Ora 19:53
FOTO/ Gurë, zjarr dhe shkatërrim, pamjet nga protesta në Tiranë

Edhe gjatë ditës së dytë protesta është shoqëruar me tensione, shkatërrime, hedhje gurësh e djegie të koshave nga protestuesit.  Pamjet nga protesta që është zhvilluar pranë Ministrisë së brendshme.

Ora 19:52
I pranishëm në protestë, përlotet regjisori Robert Budina (VIDEO)

I pranishëm në protestë ishte edhe regjisori Robert Budina, i cili i është drejtuar efektivëve të policisë se "po i detyrojnë njerëzit t'i gjuajnë me gurë". Budina është përlotur për vrasjen e të riut dhe është larguar.

“Kam që në ‘90 që rri në rrugë. Ça i kemi bërë ne këtyre njerëzve?! Më shihni të armatosur?! Si mund të vijë polici dhe të më thotë ‘ik’?! A keni vëllezër? Motra? Prej jush e kam çuar fëmijën jashtë shtetit se nuk jeton dot këtu. Ça turpi jeni! Ku i keni armët? Si më shtyni mo?! Ku e gjeni kurajon?! Hiqe atë armë dhe trego se je qytetar. T’ju vijë turp. S’mund të gjuani. Kam 4 vjet që ne do të fitojmë me kulturë. Ju detyruat njerëzit të gjuajnë me gurë, të gjuajnë me armë, të kthehen në dhunues.”, -tha Budina.

 

Ora 19:39
Protestuesit shpërndahen në zonën e ish-bllokut, djegin koshat e mbeturinave! (VIDEO)

Një pjesë e protestuesve anë shpërndarë në zonën e ish-Bllokut ndërsa një pjesë tjetër është shpërndarë në zonën e 9-katësheve.

Në Ish-Bllok protestuesit kanë djegur koshat e mbeturinave ndërsa tek 9-katshet kanë bllokuar rrugën me kosha.

Ora 19:27
FNSH i bën thirrje protestuesve të tërhiqen! Qytetari godet efektivin, e shoqërojnë në komisariat (VIDEO)

Gazetari i Report Tv, Sokol Demaj bën me dije se Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për të shpërndarë protestuesit.

Ata u kanë bërë thirrje teksa efektivët kanë shoqëruar një prej protestuesve duke e goditur me shkopë gome.

1607624815_Screenshot1.jpg

Ora 19:17
Vrasja e Klodjan Rashës/ Protestuesit shpërndahen në disa zona rreth kryeministrisë! Policia bllokon bulevardin

1607624378_Screenshot2.jpg

1 orë pas fillimit të protestës, qytetarët janë shpërndarë në disa pjesë rreth bulevardit "Dëshmorët e Kombit" pranë Kryeministrisë.

Disa qytetarë janë zhvendosur në zonën e ish-bllokut ndërsa disa në lulishten pranë Presidencës.

Policia ka bllokuar qarkullimin e automjeteve nga Parku Rinia deri tek Presidenca dhe tashmë janë riformatuar pasi priten që të vijojë sërish protesta.

Ora 18:59
Protestuesit mblidhen para Kryeministrisë (VIDEO)

Pas Ministrisë së Brendshme, protestuesit janë zhvendosur në ambjentet e Kryeministrisë.

1607623229_Screenshot2.jpg

Ora 18:52
Dita e dytë e protestës/ Shoqërohen disa të rinj, mes tyre një fotograf (VIDEO)

Pas rreth 50 minuta protestë dhe hedhe gazi lotsjellës, ka nisur shoqërimet e para të disa të rinjve nga efektivët e veshur si civil. Mes disa të rinjve të shoqëruar që u panë live në media, ka qenë edhe një fotograf.

1607622657_Screenshot7.jpg

Ora 18:45
Vijnë përforcime, FNSH zmbraps protestuesit! Qytetarët godasin sërish drejt efektivëve

1607622023_Screenshot6.jpg

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë krijuar një barrikadë në afërsi Parkut Rinia duke i zbrapsur protestuesit.

Ato po tentojnë t'i shtyjnë ata larg ambjenteve të Ministrisë së Brendshme.

Qytetarët vijojnë të godasin me gurë dhe mjete të tjera drejt efektivëve të policisë.

Ora 18:38
Vijon situata e dhunshme! Dalin autobotet me ujë për të shpërndarë turmën (VIDEO)

Protestuesit vijojnë të godasin me gurë dhe flakadanë drejt Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Këta të fundit kundërpërgjigjen me gaz lotsjellës, por për shkak të kushteve atmosferike tymi pastrohet shumë shpejtë.

Tashmë policia po përdor dhe autobotët me ujë për të shpërndarë qytetarët teksa kanë ardhur dhe përforëcime të tjera.

Ora 18:27
Dorëheqja e Sandër Lleshajt, qytetarët duartrokasin për këtë vendim! Nuk tërhiqen nga protesta

1607621089_Screenshot12.jpg

Pas lajmit për dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj qytetarët në protestë kanë duartrokitur.

Por pavarësisht këtij zhvillimi, ata duken të vendosur për vijimin e protestës. Ata janë zhvendosur në ambjentet mes Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Brendshme.

Protestuesit vijojnë të hedhin flakadanë drejt policisë.

Ora 18:11
Përshkallëzimi i dhunës, FNSH hedh gaz lotsjellës për të shpërndarë qytetarët (VIDEO)

Nuk ka kaluar shumë dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e dhunshme të qytetarëve.

Ora 18:10
Përshkallëzon protesta, qytetarët prishin rrethimin e hekurt të Ministrisë së Brendshme! Mbërrijnë FNSH

1607620233_Screenshot3.jpg

Vetëm disa minuta nga mbledhja e protestuesve në ambjentet e Ministrisë së Brendshme ka përshkallëzuar protesta. Qytetarët kanë prishur murin rrethues të Ministrisë. Dalin Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.