PS-ja rrëzon mocionin e kritikëve/ Pëllumbi: Ishin kopje dhe akuza si opozita

28 Shkurt 2020, 17:02

Sekretari Organizativ i PS-së Arben Pëllumbi në një intervistë për Report Tv në nisje të Kongresit të socialistëve u shpreh se përfaqësia pas shqyrtimit vendosi që të rrëzonte mocionin e 10 anëtarëve kritikë mes të cilëve Arta Dade, që kërkonin ndryshime në statutin e forcës ku bëjnë pjesë. Deputeti socialist u shpreh se akuzat e këtyre anëtarëve ngjajnë me ato të opozitës.

"Më lejoni që të flas për anën procedurale të mocionit, që nuk kanë munguar asnjëherë, është një ogur i mirë, pasi kemi njerëz që duan të shprehen, edhe pse kanë vite që janë larg strukturave dhe programeve. Përfaqësia e shqyrtoi dhe vendosi që mocioni nuk i plotëson kushtet nga ana procedurale por edhe nga ana strukturore. Përfaqësia e Kongresit nesër do ia paraqesë kongresit për të dalë në një vendimmarrje. Mocioni ka të bëjë me dy shtylla, e para për reformimin e partisë, më duket se janë kopjuar grupet e punës që kanë disa muaj që punojnë dhe ne do i prezantojmë nesër dhe blloku  i dytë është i akuzave që nuk i gjej fort ndryshe nga ato që bën opozita në raport me ne' tha ai.

Por cfarë do të ndodhë sot pasdite, në ditën e parë të Kongresit? Pëllumbi u shpreh se fokusi do të jetë te vajzat dhe gratë socialiste. "Për të çuar më para këtë fushatë dhe fakti që të materializojmë sa më mirë përfaqësimin në qeveri, grup, etj, të shoqeve dhe grave të PS-s, kemi marrë këtë fushatë 'Edhe një'.  Ne kemi vënë re që në pjesën më të madhe votat e PS-së vijnë nga kjo forcë prandaj duam t'u japim të gjithë hapësirën për t'u shprehur dhe përfaqësuar'.

Ndërkohë që nesër punimet e kongresit do të fokusohen te llogaridhënia mbi atë që është bërë deri tani dhe rindërtimi. "Nesër dita e dytë ka të bëjë me funksionimin. Seanca e parë do të jetë llogaridhënia, për atë që kemi bërë, më pas rindërtimi. Në seancën e dytë do u dedikohet strukturave, do të kemi disa ndryshme nga nevojat që kanë lindur. Në atë sens që thoni ju kongresi nuk shprehet, pasi ka qëllim vetëm zgjedhjen e asamblesë që do të ndodhë nesër mbrëma".