Publikohen përgjimet në BILD nga dosja ''184'' për Dibrën: PS po blen apo mbron votat nga banda e Flamur Nokës?

17 Qershor 2019, 19:03 | Përditesimi i fundit: 2019-06-17 20:15:06

Gazeta “Bild” ashtu siç e kishte paralajmëruar ka publikuar këtë të hënë 16 përgjime të reja, këtë herë nga dosja "184" mbi zgjedhjet vendore të vitit 2016 në qarkun e Dibrës, audio-përgjime, të cilat prokurorët ose Partia Demokratike ia kanë dërguar gazetarit gjerman Peter Tiede.

Një prej bisedave të përgjuara përfshin edhe kryeministrin Edi Rama më një zyrtar lokal, Arben Keshi, që kishte kompetencën e Partisë Socialiste në komunën e Maqellares. Në bisedë, Rama e pyet nëse u arritën objektivat, pra nëse PS ka fitur apo jo, por në asnjë moment nuk flitet as për blerje votash as për manipulime. Përfaqësusi i PS e qetëson Ramën duke e siguruar që nga informacionet e marra nga komisionerët, kishte pritshmëri të mëdha.

Por nga biseda del dëshmia, të cilën Bild e anashkalon pa e përmendur fare, mbi veprimet e një bande të Partisë Demokratike të drejtuar nga ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka që përdinqte dhe kërcënonte përfaqësuesin socialist. Në bisedë Arben Keshi tregon për një pritë gjatë natës, ku 50 veta e kishin ndjekur, por ai i shpëtoi në minutat e fundit duke u futur tek shtabi pranë hotelit ku ai flinte, por i kanë dhunuar djalin e tij.

Pra më shumë se blerje e votave nga ky përgjim del përpjekja për ta mbrojtur votën nga banda e Lulzim Bashës.

Sipas versionit në anglisht që Partia Demokratike i ka servirur gazetarit gjerman të Bild, në kohën e përgjimit (shtator 2016), ai, Arben Keshi, ishte një drejtor pranë Ministrisë së Brendshme. Në fakt, në atë kohë, sipas burimeve të Shqiptarja.com, ai drejtonte strukturën për Mbrojtjen e Vajzave të Trafikuara në varësi të Ministrisë së Çështjeve Sociale dhe për ndjekjen e fushatës, sipas burimeve pranë ministrisë, ai kishte kërkuar lejen e zakonshme. Arben Keshi është me origjinë nga Maqellara dhe kishte ndjekur me sukses edhe zgjedhjet e mëparshme. Pikërisht rezultatet që ai kishte arritur në një zonë në të cilën kundërshtarët politikë vepronin edhe përmes bandave të militantëve, e kishin bërë të vlerësohej roli i Arben Keshit, siç del edhe në shumë telefonata të tjera të pergjuara. Ai bëhet pjese e strukturave te Ministrisë se Brendshme vetëm në vitin 2017.

Ja pjesë e bisedës:

Edi Rama: Hë mo si duket
Arben Keshi: Po mirë, mirë ke pritshmëritë jemi
Edi Rama: E keni realizu objektin thua?
Arben Keshi: Them që po. Tani me pjesën e asaj që po na thonë komisionerët e kemi realizuar.
Edi Rama: Ashtu eh?
Arben Keshi: Them që po
Edi Rama: Po ata maskarenjtë kishin bo presion m’thanë 
Arben Keshi: Po deshin të më kapin mua ato po ndodhi punë dy minutash unë sa u futa te Shtabi se më prisnin te hoteli ku fleja
Edi Rama: Ca të bënin ty ato
Arben Keshi: po ishin nja 50 veta,thjesht me kët pjesën e presionit më goditën e kshu Ai është legen ai, Ai Flamur Noka është.
Edi Rama: Ku ta del dot ty Flamur Noka mo burrë
Arben Keshi: Jo mo ai thjesht është.. edhe ky djali sa doli...Ato menduan se unë isha në makinë, rrethh 50 vetë. Jo se bënë ndonjë gjë, sa e goditën, po problemi është se iku edhe se kapëm dot.
Edi Rama: Më mirë se edhe sherret, c’i do sherret. Dëgjo, po ti mendon se e ke realizu objektivin ?
Arben Keshi: Unë të them që po nëse mund të lëvizë mund të lëvizë pak ose më shumë po tani nga ata që kanë thënë komisionerët jemi në pritshmëri të mëdhaja.
Edi Rama: Komisionerët i ke pas top eh?
Arben Keshi: Po po, i kam pas shumë të mirë.
Edi Rama: Ok, mire vllai
Arben Keshi: Ishalla, mire faleminderit
Edi Rama: ok, ciao ciao..

Pas përgjimeve të publikuara nga “Bild”, ka ardhur reagimi i kryeministrit Rama. Në reagimin e tij, kreu i qeverisë shkruan se fakti që u publikuan vetëm një ditë para se KE të japë vendimin për çeljen e negociatave me BE, është një tregues i pastër se nuk bëhen për të vënë drejtësinë, por për shantazh. Teksa nxit prokurorinë që të hetojë intensivisht, sipas tij pas këtyre audio-përgjimeve, fshihen ato që ai i quan “shërbëtor të Saliut”.  

Përgjimet e para të gazetarit gjerman u publikuan në datë 5 Qershor, pikërisht dita kur lideri i opozitës Lulzim Basha ishte në Gjermani për të lobuar kundër hapjes së negociatave.

Redaksia e Shqiptarja.com zbardhi në shqip përgjimet audio të publikuara në Bild, të cilat janë përkthyer në anglisht në median gjermane.

    No videos found.