Kryeministri Edi Rama ka ripublikuar për profilin e tij në rrjetet sociale përgjimin e 'Bild' nga dosja hetimore "184", duke thënë se nuk ka asgjë për të fshehur. Kreu i qeverisë shkruan se publikimi i këtyre audio-përgjimeve, ku ai përmendet për herë të parë, ka cenuar jo vetëm dinjitetin e tij, por edhe të vendit, për këtë arsye njofton se do të padisë në gjykatat gjermane gazetarin Peter Tiede.

Rama ka konfirmuar bisedën e bërë me Arben Keshin, duke theksuar se në atë komunikim nuk ka asgjë të gabuar dhe se do e bënte sërish, po njësoj. Ndryshe nga ç'pretendon 'Bild', Rama shkruan se Arben Keshi në atë kohë nuk ka punuar në Polici, por ka qenë më herët kandidat për komunën e Maqellarës.

Gjithashtu, kreu i qeverisë shkruan se fakti që u publikuan vetëm një ditë para se KE të japë vendimin për çeljen e negociatave me BE, është një tregues i pastër se nuk bëhen për të vënë drejtësinë, por për shantazh. Teksa nxit prokurorinë që të hetojë intensivisht, sipas tij pas këtyre audio-përgjimeve, fshihen ato që ai i quan “shërbëtor të Saliut”.  

Në fund, rithekson se zgjedhjet nuk do të shtyhen, por do të mbahen më 30 qershor. 

Ja pjesë e bisedës:
Edi Rama
: Hë mo si duket
Arben Keshi: Po mirë, mirë ke pritshmëritë jemi
Edi Rama: E keni realizu objektin thua?
Arben Keshi: Them që po. Tani me pjesën e asaj që po na thonë komisionerët e kemi realizuar.
Edi Rama: Ashtu eh?
Arben Keshi: Them që po
Edi Rama: Po ata maskarenjtë kishin bo presion m’thanë 
Arben Keshi: Po deshin të më kapin mua ato po ndodhi punë dy minutash unë sa u futa te Shtabi se më prisnin te hoteli ku fleja
Edi Rama: Ca të bënin ty ato
Arben Keshi: po ishin nja 50 veta,thjesht me kët pjesën e presionit më goditën e kshu Ai është legen ai, Ai Flamur Noka është.
Edi Rama: Ku ta del dot ty Flamur Noka mo burrë
Arben Keshi: Jo mo ai thjesht është.. edhe ky djali sa doli...Ato menduan se unë isha në makinë, rrethh 50 vetë. Jo se bënë ndonjë gjë, sa e goditën, po problemi është se iku edhe se kapëm dot.
Edi Rama: Më mirë se edhe sherret, c’i do sherret. Dëgjo, po ti mendon se e ke realizu objektivin ?
Arben Keshi: Unë të them që po nëse mund të lëvizë mund të lëvizë pak ose më shumë po tani nga ata që kanë thënë komisionerët jemi në pritshmëri të mëdhaja.
Edi Rama: Komisionerët i ke pas top eh?
Arben Keshi: Po po, i kam pas shumë të mirë.
Edi Rama: Ok, mire vllai
Arben Keshi: Ishalla, mire faleminderit
Edi Rama: ok, ciao ciao..

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:45
Gazetari Peter Tiede publikoi përgjimet, Rama: Do e çoj në gjykatat gjermane

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se do të padisë në gjykatat gjermane gazetarin, Peter Tiede, i cili ka publikuar audio-përgjimet.

"Kam vendosur ta çoj në gjykatat gjermane këtë gazetar dhe në atë vend të bekuar,ku drejtësia nuk bën lojra me sekretet hetimore e ku dinjiteti i njerëzve dhe i shteteve respektohet si vlerë e pacënueshme,le të shohim kush është me të drejtën në këtë histori drejtësie të munguar", shkruan Rama.

Ora 17:37
Rama: Skandal i turpshëm nga 'shërbëtori' i Salit për shantazh politik

Skandal i turpshëm për shantazh politik! Kështu i ka cilësuar kryeministri Edi Rama, përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane 'Bild'. Ai shkruan se pas publikimit të këtyre audio-përgjimeve qëndrojnë "shërbëtori famëkeq i Saliut në prokurori+një birbo tjetër që doli cullak nga Vetingu".

"Ky është i gjithi një skandal i turpshëm,i gatuar nga shërbëtori famëkeq i Saliut në prokurori+një birbo tjetër që doli cullak nga Vetingu, të cilët jo vetëm kanë shkelur ligjin për sekretin hetimor, duke i përdorur përgjimet për shantazhe e lojë politike, po s’kanë hetuar asgjë", shkruan Rama. 

Ora 17:05
Rama ripublikon në Twitter përgjimin e 'Bild': E konfirmoj këtë bisedë dhe do e bëja prapë njësoj

Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar bisedën me Arben Keshin, të publikuar nga gazeta gjermane 'Bild'. Por ndryshe nga çfarë njofton 'Bild', kreu i qeverisë mohon që Arben Keshi të ketë punuar në atë kohë në polici teksa thekson se tek ky bisedim nuk ka asgjë të gabuar, duke thënë se do e bënte sërish njësoj. 

Sipas tij, me anë të këtij përgjimi, nuk synohet që të vihet drejtësi, por të manipulohen njerëzit dhe të dëmtohet imazhi i vendit.  

"Çfarë mjerimi dhe çfarë përpjekje e dëshpëruar për manipulimin e njerëzve dhe nxirjen e Shqipërisë!Çfarë gënjeshtre:AK s’ka punuar në polici asokohe dhe ka qenë denbabaden kandidat komune në Maqellarë.E konfirmoj këtë bisedë dhe do e bëja prapë njësoj!Kush ka veshë le të dëgjojë", shkruan Rama.

Ora 16:02
Rama: Sulm i Shqipërisë për të bllokuar negociatat dhe penguar drejtësinë nga 'shërbëtorët e Saliut'

Publikimi i përgjimeve nga 'Bild', kur vendi pret vendimin për çeljen e negociatave dhe në është në prag zgjedhje, Rama e cilëson si një shantazh politik. Sipas tij, ato janë nxjerrë nga Prokuroria dhe janë dërguar gazetarit gjerman Peter Tiede, nga "shërbëtorët e Saliut", me këtë të fundit që e akuzon se ka frikë nga Reforma në Drejtësi.

"Përgjimet e pahetuara të shërbëtorit të Saliut tregojnë përsëri se u bënë për shantazh,jo për drejtësi! Dhe u mbajtën tek partia për këtë ditë të zezë, kur duhet sulmuar Shqipëria me “zbulime gjermane”, për të bllokuar negociatat dhe ndaluar drejtësinë që vjen me kapitujt 23/24", shkruan Rama.