Qeveria miraton Aktin Normativ për të marrë vaksina anti nga Kina! CoronaVac do vijë në Shqipëri

23 Mars 2021, 19:23

I hapet rruga ardhjes edhe të vaksinave kineze në vendin tonë. Qeveria ka miratuar Aktin Normativ për të marrë vaksina anti COVID nga Kina. Përmes një Akti Normativ me fuqinë e ligjit miratohet marrëveshja me kompaninë turke “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret” për të furnizuar |Shqipërinë me vaksina të prodhuara nga "Sinovac Life Science CoLtd' dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës.

Marrëveshja është arritur mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar, kompanisë turke “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret”.

Është rënë dakord se teksti i marrëveshje për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës së shprehur nga distributori nuk do të publikohet në asnjë ëebsite të institucioneve apo në Fletoren Zyrtare.

Për këtë arsye të gjitha institucionet e përfshira në dhënien e mendimit, të miratimit apo që janë pjesë e procesit kanë detyrimin të mos bëjnë publike marrëveshjen bashkëlidhur këtij akti normativ apo pjesë të saj.

Më 10 mars Qeveria shqiptare miratoi Aktin Normativ me anë të të cilit i dha të drejtën ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, që të negociojë krahas ministrisë së Shëndetësisë, për gjetjen e vaksinave Anti-COVID. Me këtë akt normativ, qeveria i hapi rrugë negocimit të shtetit tonë me kompani të tjera për siguruar vaksinën anti-COVID edhe nga shtetet që janë jashtë BE-së, konkretisht Rusia dhe Kina të cilat prodhojnë vaksina anti-COVID, gjë e cila tashmë është konkretizuar. 

Kujtojmë se në vendin tonë tashmë janë duke u kryer në terren vaksina Pfizer, AstraZeneca dhe pritet shume shpejt edhe ajo ruse Sputnik V, 10 mije doza të së cilës mbërritën në Rinas ditën e djeshme.

Hungaria u bë i pari vend anëtar i Bashkimit Evropian që vendosi përdorimin e vaksinës kineze. Vaksina kineze nuk është miratuar ende nga Agjencia Evropiane e Barnave, por BE i lejon një vendi anëtar të përdor një vaksinë tjetër sa kohë e merr vetë përgjegjësinë për të. Pas Hungarisë një sërë shtetesh i janë drejtuar Kinës për sigurimin e kësaj vaksine. 

Vaksina e kompanisë kineze Sinopfarm, e cila sipas krijuesve të saj është 80% efikase, përdoret dhe në Serbi.