Rakacolli: Vaksina kineze, e sigurt, e certifikuar në Turqi! Jam gati ta bëj dhe vetë! Eksperti i PD: Nuk ka siguri

24 Mars 2021, 23:10 | Përditesimi i fundit: 2021-03-24 23:15:23

Zv. ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha se vaksina kineze por dhe ajo ruse e të tjera janë të sigurta dhe të certifikuara në vendet ku ata përdoren. Rakacolli tha në “Repolitix” në Report Tv se vaksina kineze është e certifikuar në Turqi dhe ka paraqitur kërkesën e saj në OBSH për përdorim. Rakacolli siguroi shqiptarët se ajo vaksinë është e sigurt, efektive, ndërsa tha se ajo është gati të bëjë vaksinën ruse apo kineze

“Vaksina është e certifikuar në vendet që është prodhuar në Kinë në kinë dhe në atë vende të tjera që  e përdorin edhe në Turqi. Ajo ka paraqitur dokumente tek OBSH për certifikim dhe nga ajo. Procesi i sigurimit të vaksinave merret nga komiteti i ekspertëve të vaksinimit i krijuar para pandemisë dhe është i përhershëm. Rendësi ka ku janë marrë certifikatat e sigurisë dhe dokumentacioni i tyre kalon dhe nga agjenci e barnave dhe është e siguruar se ajo vaksinë që bëhet është e sigurt. Jam gati ta bëj vaksinën kineze apo atë ruse”, tha Rakacolli.

Në një mendje me të nuk ka qenë eksperti i në Departamentin e Shëndetësisë në PD, Ilir Pecnikaj, i cili tha se vaksina ruse apo kineze nuk është e sigurt për aq kohë sa nuk është certifikuar nga BE.

“Vaksina ruse dhe kineze ka hyrë në mënyrë klandestine. Në momentin kur ne jemi të sigurt për këto vaksina, pse jo do e bëja atë. Për mua nuk është e sigurt pasi asnjë vendi i BE nuk e ka regjistruar”, tha Pecnikaj.

Zv. ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha se zgjedhjet e 25 prillit do të zhvillohen nën respektimin e masave antiCOVID. Rakacolli u shpreh se në qendrat e votimit do të respektohet distanca, nuk do të lejohen të hyjnë shumë njerëz dhe se kutitë e votimit do të vendosen në distancë dhe po ashtu edhe vendi ku do të hiqet vota në mënyrë që kontakti njeri më njeri të jetë sa më minimal i mundshëm.

“Janë marrë masa që dhe qendrat e votimit të kontrollohen dhe të respektohet distanca sa i përket numrit të kutive  që do të vendosen brenda një qendre votimi si dhe do të sigurohemi që brenda të rrijë numri minimal. Ashtu siç është ruajtur radha në market e banka edhe në qendrat e votimit, njeri duhet të jetë i ndërgjegjshëm vetë dhe duhet ta krijojë vetë atë”, tha Rakacolli.