Rama batuta me rektorin e Universitetit BOKU të Vjenës: Na ka dalë nami se jemi të dhunshëm, por duam pa kushte

6 Nëntor, 10:17 | Përditesimi: 6 Nëntor, 10:17

Kryeministri Edi Rama, në ceremoninë e nderimit të profesor Hubert Hasenauer, rektorit të Universitetit të BOKU në Austri, nuk kurseu batutat. Teksa kujtoi kohën kur shkuan në Universitetin e Vjenës për të bashkëpunuar me UBT-në, Rama iu drejtua rektorit duke i thënë se shqiptarëve iu ka dalë nami se janë të dhunshëm, por kur duan, “duan pa kushte dhe me pahir”.

“Ju sot nuk jeni thjesht një akademik, apo njeri i ditur që është ndalur këtu për të thënë ato që di, por jeni një pjesë e jona. Për ne ka dalë nami që jemi pak të dhunshëm por aty ku ne meritojmë të quhemi të tillë, është që ne kur të duam, të duam pa kushte dhe me pahir. Kështu që nuk ke nga lëviz fare, sot ju jeni një tjetër xhevahir në vargun e gjatë të gjerdanit të miqësisë dhe lidhjes mes Shqipërisë dhe Austrisë dhe pa asnjë diskutim ju do të përmendeni me të tjerë në këtë komunitet shpirtrash që i ndihen kësaj miqësie dhe lidhjeje që ju po kontribuoni drejtpërdrejt për ta bërë më të fortë. Ajo që i bashkon të gjithë ata austriakë që e kanë emrin të shkruar në faqet e historisë së këtij vendi, është një fakt: asnjëri prej tyre nuk iu qas Shqipërisë për të marrë por i qëndroi besnik për t’i dhënë. Për këtë Shqipëria iu është mirënjohëse. “, tha Rama.

r.k./Shqiptarja.com