Rama fton për bashkëpunim PD pa LSI-në, reagon selia blu: Po bën diversion, kjo nuk na ndalon nga beteja jonë për rikthimin e demokracisë

10 Maj 2021, 12:40 | Përditesimi i fundit: 2021-05-10 12:53:03

Partia Demokratike i ka cilësuar si diversion mes koalicionit opozitar për të larguar vëmendjen nga masakra elektorale e bërë më 25 prill, deklaratat e kryeministri Edi Rama se nuk do të bashkëpunojë kurrë me LSI , por shtrin dorën e bashkëpunimi me PD. Për Partinë demokratike Rama është autori i masakrës elektorale dhe tjetërsimit  të votave, ndërsa shton se ajo do të vijojë betejat e saj në të gjitha nivelet për të rikthimin e demokracisë në vend.

"Edi Rama është autori i masakrës elektorale dhe tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve për ndryshim. Me qëllim që të largojë vëmendjen ai vazhdon gënjeshtrat, manipulimet dhe diversionet. Vjedhja e zgjedhjeve nga Rama-Doshi-Rakipi e çuan vendin tonë drejt një masakre masive elektorale, ku viktimat janë qytetarët shqiptarë dhe e ardhmja e tyre. Detyra jonë ndaj shqiptarëve është të qëndrojmë të vendosur dhe të luftojmë fort për kthimin e demokracisë në vend. Asnjë diversion nuk do të na ndalë në këtë betejë, duke filluar me shpalosjen e fakteve, provave dhe të dhënave që dëshmojnë përmasën e plotë të masakrës zgjedhore nga regjimi Rama-Doshi-Rakipi", deklaron partia Demokratike.

Kryeministri Edi Rama tha sot gjatë një takimi me deputetët e PS se me PD do të konsultohet për emrin e ri të Presidentit, pas shkarkim të Ilir Metës dhe se me LSI nuk do të ketë kurrë bashkëpunim. Rama i ka shtrirë disa herë dorën për bashkëpunim PD për të mirën e vendit dhe për të qëndruar larg politikës konfliktuale, por ka mohuar në mënyrë kategorike që kjo gjë të ndodh edhe me LSI. Kujtojmë se PD dhe LSI kanë një koalicion pas zgjedhor të lidhur para zgjedhjeve të 25 prillit, ku janë angazhuar për arritjen e disa objektivave.