Rama hodhi në gjyq gazetarin gjerman/ Basha: Avokati kërkon 13 Euro në minutë

25 Qershor 2019, 21:36

Lideri demokrat Lulzim Basha ka dalë në një konferencë për mediat, sot për të folur lidhur me procesin gjyqësor që kreu i qeverisë Edi Rama ka nisur ditën e sotme ndaj gazetarit gjerman për audio-përgjimet e publikuara tek Bild.

Basha thotë se lidhur me këtë çështje Rama ka punësuar avokatin e milionerëve dhe sulltanëve i cili sipas Bashës është më i shtrenjti në Europë dhe faturon të paktën 13 euro për minutë.

Lideri demokrat deklaron se nuk është çudi që Rama ka punësuar avokatin e sulltanëve pasi është një nga njerëzit me të pasur të Ballkanit pasi ka vjedhur Shqipërinë prej 21 vitesh.

Shefi i opozitës paralajmëroi se fati i Edi Ramës do të jetë më i keq se ai i Ramiz Alisë.

"Ai jeton në luks. Mori si avokat kundër gazetarit gjerman që publikoi vjedhjen e zgjedhjeve, avokatin e milionerëve dhe sulltanëve.

Sot, Edi Rama shpalli se ka pajtuar një avokat gjerman kundër gazetarit Peter Tiede.  Është një nga avokatët më të shtrenjtë në Europë, që faturon të paktën 13 euro për minutë. Të gjithë klientët e këtij avokati janë multimilionerë dhe miliarderë dhe, mes tyre mbretër, dhe sulltanë.

Nuk është e rastësishme që në këtë listë, tani, do të jetë edhe Edi Rama, një nga njerëzit më të pasur të Ballkanit. Padia që ka bërë mund të kushtojë qindra mijëra euro. Por Edi Rama nuk i asgjë as as milionat.

Ai ka 21 vjet që vjedh dhe plaçkit gjithë Shqipërinë. Ka marrë 20-40 për qind për çdo leje ndërtimi që ka dhënë në Tiranë dhe gjashtë vitet e fundit në Shqipëri ka zhvatur qindra milionë euro.

Por nuk ka asnjë dyshim se një nga përfituesit direkt të trafikut marramendës së drogës ka qenë Edi Rama. Me këtë para kriminale Edi Rama jeton në luks, i shkëputur nga realiteti. Etja e verbër për para dhe pushtet, e zhveshur nga çdo ndjesi njerëzore, e çuan Edi Ramën në krahët e krimit që në fillimet e karrierës së tij dhe, që atëhere, ka mbetur peng i krimit.

Në emër të krimit, në emër të avdylajbe, lalave, dakovea, gjiknurëve, manjave, Edi Rama paska vendosur të padisë një gazetar perendimor që i nxori lidhjet e tij me krimin, duke paguar me paratë e korrupsionit.

Është e njëjta mbrojtje që u ka bërë gjatë këtyre viteve Mark Frokut, Armando Prengës, Pjerin Ndreut, Artur Bushit, Elvis Roshit, Qazim Sejdinit, Saimir Sahirit, Damian Gjiknurit, Agron Xhafajt, rrajave, habiljave, shullazëve dhe trafikantëve të tjerë.

Mbrojtje totale, pandëshkueshmëri absolute ndaj krimit dhe korrupsionit. Këtë e ka arritur duke shkatërruar shtetin ligjor dhe demokracinë. Duke kapur çdo pushtet.

Edi Rama nuk është as sa Ramiz Alia. Ai I anulloi votimet e shkurtit 1991 për t’i hapur rrugë votimeve pluralist.

Edi Rama po përpiqet të bëjë edhe gjënë e fundit që bën çdo autokrat për ta mbajtur pushtetin: zgjedhje farsë.

Por ky do të jetë fundi i tij.

Jo shumë kohë më pare Shqipëria jetonte nën diktaturën kriminale të Enver Hoxhës. Edhe atëhere kishte votime.

Njerëzit shkonin në qendrat e votimit, merrnin një fletë votimi, në të cilën kishte vetëm një emër dhe hidhnin fletën në kuti, pa asnjë fshehtësi. Ndërkohë,kudo buçiste propaganda shtetërore se vota ishte plumb për armikun, se armiku nuk donte që populli të votonte për partinë.

Votimet farsë, nën frikë dhe terror, ishin një nga elementët kryesorë të diktaturës.

Edhe kur diktatura po rrënohej, nën falimentimin ekonomik dhe peshën e krimeve të veta, Ramiz Alia u përpoq ta shpëtonte me zgjedhje farsë.

Kur komunzimi ra kudo në lindje, kur pluralizmi dhe liria triumfuan mbi robërinë, Ramiz Alia deshi t’u shiste shqiptarëve të etur për liri, pluralizëm fallso.

U përpoq të bënte në shkurt 1991 zgjedhje gjoja pluraliste me organizatat e rinisë dhe të grave komuniste, por dështoi, sepse njerëzit nuk u mashtruan, sepse shqiptarët donin lirinë e vërtetë.

Tre dekada më vonë. Jemi kthyer në të njëjtën situatë.

Shqipëria është sot e rrënuar ekonomikisht. Krimet shtetërore janë bërë të padurueshme. Demokracia ka rënë.

Edi Rama po kërkon të mbajë zgjedhje farsë, gjoja demokratike për të zgjatur jetën e regjimit të tij kriminal dhe autokratik, edhe për pak.

Njësoj si më 1991, qytetarët ftohen të shkojnë në qendra votimi, të marrin një fletë votimi, në të cilën ka një emër dhe ta hedhin atë në një kuti, pa asnjë fshehtësi.

Njësoj si atëherë, vota është shpallur plumb kundër armiqve të regjimit.

Njësoj si atëherë, regjimi mundohet të shtypë pakënaqësinë e njerëzve.

Ramiz Alia nuk e shpëtoi dot regjimin kriminal enverist.

As Edi Rama nuk do ta shpëtojë dot regjimin e tij kriminal. Por fati i Edi Ramës duket se do të jetë më i keq se i Ramiz Alisë.

Ramiz Alia i anulloi zgjedhjet e shkurtit 1991 për t’i hapur rrugë zgjedhjeve pluraliste. Edi Rama ka vendosur t’i bëjë zgjedhjet e tij njëpartiake", tha Basha.

    No videos found.