Kryeministri Edi Rama ka hedhur në gjyq gazetarin e gazetës gjermane Peter Tiede i cili publikoi disa audio-përgjime nga dosja hetimore '184', ku përmendet edhe vetë ai.

Kjo gjë është konfirmuar nga vetë kryeministri i cili deklaron se ditën e sotme i ka dhënë prokurën avoktatit gjerman Matthias Prinz për nisjen e procesit gjyqësor mbi këto përgjime. Rama thotë se këtë e bën sepse shqiptarët meritojnë ta dinë të vërtetën nga drejtësia e atij vendi pa hije.

"Sapo i kam dhënë prokurën avokatit gjerman Matthias Prinz, për nisjen e procesit gjyqësor mbi publikimet e BILD! Gjykatat gjermane le ta vendosin kush ka të drejtë e kush ka faj në këtë mes. E bëj sepse shqiptarët meritojnë ta dinë të vërtetën nga drejtësia e atij vendi pa hije", shkruan Rama.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i gazetarit gjerman. Përmes një komenti në postimin e kreut të qeverisë, Peter Tiede është përgjigjur me ironi duke nënkuptuar se përgjimet e publikuara prej tij janë të vërteta.

"Dhe çfarë më akuzoni? Për publikimin e audio-përgjimeve të vërteta?", shkruan Peter Tiede.

Nisja e procesit gjyqësor ishte paralajmëruar nga kreu i qeverisë, për shkak se i ka quajtur përgjime tendecioze që cenojnë jo vetëm imazhin e tij, por edhe të vendit.

Rama ka konfirmuar bisedën e bërë me Arben Keshin, duke theksuar se në atë komunikim nuk ka asgjë të gabuar dhe se do e bënte sërish, po njësoj. Ndryshe nga ç'pretendon 'Bild', Rama shkruan se Arben Keshi në atë kohë nuk ka punuar në Polici, por ka qenë më herët kandidat për komunën e Maqellarës.

Kreu i qeverisë e ka quajtur publikimin e këtyre audio-përgjimeve pikërisht para vendimit të KE për hapjen e negociatave një skemë të Ilir Metës, Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit për të cenuar imazhin e vendit për shkak se i tremben Reformës në Drejtësi.