Rama me kryeministrin Viktor Orban: Hungaria një nga avokatët kryesor për integrimin e Shqipërisë në BE! Duam më shumë investime hungareze te ne

16 Qershor 2023, 11:42

Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat bashkë me kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban shprehu mirënjohjen për qeverinë hungareze dhe mbështetjen që ajo i ka dhënë Shqipërisë për integrimin në BE. Rama u ndal edhe tek investimet hungareze në Tiranë, ku theksoi se do të donte që të kishte më shumë.

‘Është vizita e një miku të vjetër dhe të palëkundur të Shqipërisë dhe shqiptarëve në të gjitha kohët. Falë kryeministrit Orban dhe përkushtimit të ministrit të jashtëm si dhe të qeverisë së tij kemi hyrë në një fazë të re të marrëdhënieve tradicionale e miqësore, por tani edhe ekonomike. Kjo vizitë përveçse vizita e një miku të çmua është edhe një vizitë për të vazhduar në atë rrugë të re bashkëpunimi që hapi një fazë të re pas vizitës së delegacionit tonë atje, ku u vendosën disa piketa mbi të cilat ne po vazhdojmë të bashkëpunojmë e falë të cilave po shohim rezultate të prekshme. Hungaria është një nga avokatët më të zëshëm të Ballkanit Perëndimor në BE dhe një nga forcat më progresive në raport me zgjerimin e BE-së. Hungaria e ka mbrojtur vijmësisht procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Kjo mbështetje nuk ka qenë vetëm më fjalë por me ekspertizë të vënë në dispozicion të qeverisë tonë. Ne ndajmë të njëjtën bindje me kryeministrin dhe qeverinë e Hungarisë lidhur me interesin e lartë gjeostrategjik të integrimit sa më shpejt të Ballkanit Perëndimor. BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor siç ka nevojë Ballkani Perëndimor për BE-në. I jam mirënjohës për faktin se Orban është shtytësi kryesor i investimeve të drejtpërdrejta hungarez në Shqipëri. Duam të kemi më shumë kompanitë. Kemi folur për të sjellë më shumë investime nga Hungaria në fushën e energjisë dhe shpresoj shumë edhe në fushën e turizmit. Ne besojmë shumë se është koha për të menduar edhe për investime nga Hungaria e cila ka sot një industri ekselence në turizëm.’- tha Rama.

    No videos found.