Rama në Athinë, drekë pune me Mitsotakis në shtëpinë e tij: Shije e shkëlqyer e mikpritjes!

8 Janar 2021, 19:49

TIRANË- Pas vizitës në Turqi, kryeministri Edi Rama ka udhëtuar drejt Greqisë, ku ka zhvilluar një takim zyrtar me homologun Kyriakos Mitsotakis. Rama është pritur në shtëpinë e Mitsotakis, ku në fund të takimit kreu i qeverisë shqiptare njoftoi se të dy palët kanë rënë dakord për të zhvilluar marrëdhëniet strategjike.

"Në Athinë për një drekë pune me Kryeministrin Mitsotakis, për të diskutuar koordinimin e mëtejshëm në luftën e përbashkët kundër COVID19; forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike midis dy vendeve; bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian të rajonit tonë".

Gjatë drekës u bë një përmbledhje e marrëdhënieve greko shqiptare ku të dyja palët kanë shprehur kënaqësinë për përmirësim e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi. Kjo deklaratë e kryeministrit Edi Rama vjen në kushtet kur mes dy vendeve ekziston ende ligji i luftës e po ashtu kufijtë detare kanë qenë gjithmonë pjesë e tryezave politike.

Në takimin në shtëpinë e homologut grek të pranishëm ishin ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias dhe ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Eleni Sourani.  Kreu i qeverisë shqiptare i nisi takimet në Greqi me ministrin Dendias ku folën kryesisht për marrëdhëniet mes dy vendeve, perspektivën e Shqipërisë në BE dhe zhvillimet e fundit në rajon.

Kjo vizitë e Ramës në Athinë vjen menjëherë pas takimit me presidentin turk Erdogan në Ankara dhe nuk përjashtohet që pjesë e bisedimeve të kenë qenë edhe marrëdhëniet e tensionuara Greko-Turke në lidhje me zonave detare.

Kujtojmë se një ditë para se të nisej në Turqi, Rama ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministri i jashtëm të Greqisë Nikos Dendias. Dendias shkruante se në këtë bisedë kanë folur për zhvillimet më të fundit rajonale.