Rama në Shkodër: Donim ndeshje me shumë gola, PD ta harrojë që do ketë qeveri tranzitore

26 Prill 2019, 14:10 | Përditesimi i fundit: 2019-04-26 15:21:32

Nga Malësia e Madhe, kryeministri Edi Rama u ka bërë të qartë PD- LSI dhe partive të tjera opozitare se nuk do të lejojë krijimin e një qeverie tranzitore dhe se zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen.

Në takimin e banorët, ku rikonfirmoi mbështetjen për kreun e Bashkisë, Tonin Marinaj, Rama tha se ndihet i keqardhur që PD-LSI nuk do të hyjë në zgjedhje. Duke bërë një analogji me një ndeshje futbolli, kreu i qeverisë u shpreh se nuk dëshironte që të fitonte ndeshjen në tavolinë, por me shumë gola, sepse kështu sipas tij, shija e fitore është shumë herë më e bukur. Ai tha se mazhoranca i ka bërë të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje, por se kërkesa e Bashës "të fitojë pushtetin në tavolinë" është e papranushme. 

"Kanë vendosur që të mos hyjnë në zgjedhje, do donim që t'i kishim në garë se është më e bukur fitorja kur e mund tjetrin me gola jo në tavolinë. Ne i bëmë të gjitha përpjekjet tona. Ka një gjë që ata kërkojnë dhe ne nuk ia plotësojmë dot. Luli do të bëhet kryeministër dhe thotë "ik ti se do vij unë". Por unë kam marrë vota nga ju, kjo është e pamundur s'e bëjmë dot.  E la dhe atë punë që kishe dhe tha unë jam popull. Dhe kërkojnë njerëzit që të thyejnë murin me kokë e që të kalojë Basha. Ata besojnë se në fund do të ketë një gjë që Luli do të marrë gjysmën e qeverisë. Asgjë nga këto nuk do të ndodh. Ajo që do të ndodh është se pas zgjedhjeve PD duhet të rilind, por kjo është puna e tyre. Puna jonë është që të bëjmë zgjedhje", tha Rama. 

Ai ka pasur edhe një koment për protestën që u organizua në hyrje të qytetit të Shkodrës, nga simpatizantët e PD, për të mos e lejuar që të mbajë takimin me qytetarët. Sipas tij, PD nuk e fut dot në qorrsokak Shqipërinë, e aq më tepër të bllokojë integrimin e vendit në BE.

    No videos found.