Rama: Në sitë të gjithë vetëdeklarimet e zyrtarëve! Kush gënjen do përjashtohet dhe ndiqet penalisht

16 Gusht 2019, 13:53

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se çdo vetëdeklarim i kandidatëve për zgjedhje do të verifikohet dhe nëse ka rezultuar se kanë gënjyer do të përjashtohen dhe do të ndiqen penalisht. Nisur nga rasti i Valdrin Pjetrit, i cili nuk deklaroi dënimin në Itali në 2003, kreu i qeverisë tha se verifikimi shtetëror do të nisë jo vetëm për kandidatët, por edhe politikanët dhe punonjësit e shtetit.

Nga ana tjetër, kreu i qeverisë shtoi se ligji aktual nuk i lejon partitë të verifikojnë të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit, siç ishte rasti i Pjetrit i dënuar në vitin 2003. Për këtë arsye, Rama ka njoftuar se ky rast do të shërbejë për të ndryshuar ligjin, në mënyrë që të përcaktohen afatet e verifikimit shtetëror të kandidatëve.

"Valdrin Pjetri nuk është kriminel! Ai ka shërbyer në administratë si nëpunës korrekt qysh në kohën e qeverisjes së PD. Çfarëdo të ketë bërë 19 vjeç nuk e bën kurrësesi njeriun një kriminel! Por fshehja e ngjarjes është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme! Partitë nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit. Ato merren vetëm me kërkesë nga policia ose prokuroria. Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje! Një kandidat që gënjen në mirëbesim dhe në formularin e vetëdeklarimit s’mund të lerë në baltë zgjedhësit dhe partinë që e ka besuar. Ai duhet të përjashtohet nga gara pa mundur të regjistrohet në zgjedhje dhe ta marrë të plotë gjithë përgjegjësinë e vetëdeklarimit të rremë. Jo vetëm kaq,po është koha të nisë verifikimi shtetëror i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur.Çdo vetëdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal.Përgjegjësia individuale s’mund të ketë më asnjë fije kosto kolektive", shkruan Rama. 

    No videos found.