‘Rama nuk ikën dot në SHBA’, Berisha ‘gëlltit’ akuzat: Do shkoje te Trump si hajdut, ‘biletën’ ia siguroi Shqipëria si anëtare në Bordin e Paqes

16 Shkurt, 12:34 | Përditesimi: 16 Shkurt, 12:34

Kryeministri Edi Rama do të niset më 18 shkurt drejt SHBA-së me ftesë të Donald Trump për të marrë pjesë në takimin e Bordit të Paqes, i cili do të organizohet më 19 shkurt.

Opozita në bllok prej kohësh ka artikuluar akuzat se shefi i qeverisë nuk udhëton drejt SHBA-së, madje të njëjtin qëndrim e shfaqën edhe në Kuvend më 22 janar, kur në sy e pyetën Ramën se përse nuk shkoi në Uashington krah Vjosa Osmanit.

Por, tashmë që shefi i qeverisë po shkon drejt SHBA-së, Berisha duket se i ka “gëlltitur” akuzat dhe ndryshoi qëndrim duke thënë se “biletën” për të takuar Trump, Edi Ramës ia preu Shqipëria si anëtare e Bordit të Paqes. Në dalje të SPAK ku u paraqit në zbatim të masës detyrim paraqitjeje, Berisha tha se Rama shkon në SHBA si hajdut dhe do kthehet si hajdut.

A.A/Shqiptarja.com