Rama pas samitit: Takim i frytshëm me hapa konkretë! Marrëveshja e re e Roaming do të përfshijë edhe qytetarët tanë në BE

21 Nëntor, 13:19 | Përditesimi: 21 Nëntor, 13:19

“Sot mund të them që kemi mbyllur një takim edhe një herë tjetër të frytshëm me hapa konkretë të mëtejshëm, që e afrojmë më tej rajonin me BE, duke konfirmuar se plani i ri i rritjes është urë e shpejtë dhe e sigurtë drejt tregut të përbashkët evropian. Po sjell në vëmendje disa nga angazhimet, roaming që me marrëveshjen e re do të përfshihet edhe për qytetarët tanë në regjimin e BE, një hap i rëndësishëm dhe domethënës pas atij me pagesat, të cilat tanimë bëhen pa asnjë ngarkesë ekstra duke kursyer dhjetëra miliona euro nga xhepat e qytetarëve të secilit prej vendeve të BP. Ndërlidhja me korridoret evropiane vazhdon të mbetet prioritet dhe të financohet nga instrumentat e BE. Tregtia dhe lehtësimi i saj përmes një plani të detajuar lidhur me pikat kufitare, transformimi dixhital dhe identiteti dixhital, që ne e kemi gati dhe do e fusim në jetën reale në fillim 2026, duke i paraprirë i atij që do të jetë sistemi i identitetit dixhital të BE, dmth se s’do të ketë më nevojë për ID, pasaporta se identifikimi do të bëhet përmes celularit. Identiteti dixhital do të vlejë edhe për aktivitete të tjera si transaksione financiare, blerjet përmes telefonit. Folëm edhe për përafrimin në zinxhirin e vlerës të BE në aspektin industrial dhe turizmin si komponent që duhet fuqizuar në bashkëpunimin mes vendeve. Mendoj se kemi hapur shteg tjetër për të bashkëpunuar me KE në funksion të fuqizimit të arsimit të lartë, përmes ndërkombëtarizimit, gjë që e kemi filluar në Shëqipëri, por me ndihmën e KE, mund ta cojmë në nivel tjetër.”, tha Rama.

r.k./Shqiptarja.com