Rama prezanton nesër Anti-KÇK-në: Do shkatërrojë foletë e krimit...'thumbon' Metën për sulmin ndaj ambasadorëve

24 Nëntor 2019, 17:12 | Përditesimi i fundit: 2019-11-24 19:08:44

TIRANË - Ashtu si paralajmëroi nga seanca plenare, kryeministri Edi Rama do të prezantojë ditën e nesërme platformën kundër grupit të strukturuar kriminal që vetë ai e quan KÇK (Kap ç'të kapësh).

Ka qenë vetë kryeministri Rama, i cili ka lajmëruar se të hënën do të prezantojë Paketën Speciale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, të cilën ai e ka pagëzuar “Anti-KÇK”

Për këtë paketë, Rama thotë se kanë punuar ekspertë të huaj të klasit të parë në luftën kundër terrorizmit, mafias e krimit të organizuar, e ndërsa ka paralajmëruar se mekanizmi në fjalë do të shkatërrojë themelin e foleve të krimit.

“Nesër prezantojmë Paketën Speciale Anti-KÇK. Një mekanizëm i ri me fuqi speciale kundër krimit e korrupsionit. Falë ndihmës së ekspertëve të huaj të klasit të parë në luftën kundër terrorizmit, mafias e krimit të organizuar, ky mekanizëm do shkatërrojë themelin e foleve të krimit”,-shkruan Rama.

E teksa ditët e fundit, Kreu i Shtetit, Ilir Meta, si dhe partitë opozitare jashtëparlamentare kanë filluar sulmet ndaj ambasadorëve të huaj në vendin tonë, Kryeministri Rama nënvizon se paketa AntiKÇK, do të vë në dukje sesa të rëndësishëm kanë qenë dhe janë partnerët ndërkombëtarë në luftën që Shqipëria ka nisur ndaj mafias.

“Sot kur partnerët strategjikë të Shqipërisë e ambasadat e tyre janë vënë në shënjestrën e politikës mjerane të të çmendurve nga frika e drejtësisë,Paketa Speciale AntiKÇK do të provojë përsëri se sa të paçmueshëm janë këta partnerë në luftën e Shqipërisë për progres e drejtësi. Pa mbështetjen e SHBA/BE e ndihmën e përfaqësuesve të tyre në Shqipëri,s’do kishte nisur kurrë pastrimi i llumit të madh të (pa)drejtësisë e s’do ishte hapur dot kurrë perspektiva e barazisë së vërtetë para ligjit! Edhe Paketa Speciale AntiKÇK s’do bëhej dot pa ndihmën e tyre.”-shkruan Rama në rrjetet sociale.

Duke mos folur direkt për të gjithë situatën e krijuar me Gjykatën Kushtetuese pas vendimit që Meta mori për të dekretuar Marsida Xhaferllarin ndonëse ishte e katërta në listën e KED, si dhe deklaratat e fundit të Presidentit për Referendum, Rama po i përmbahet qëndrimit të tij të bërë në seancën parlamentare të 15 nëntorit se beteja e Qeverisë dhe mazhorancës nuk është me Metën, por me prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar. (KÇK)

Prezantimi do të bëhet ditën e hënën në orën 10:30 të paradites në ambientet e ArTurbinës, ku do të jenë të pranishëm strukturat drejtues të PS-së, ministrat, zv ministrat, deputetët dhe kryetarët e bashkive.

Kjo platformë kundër grupit “Kap ç’të kapësh” do të jetë një ligj special që sipas kryeministrit Rama, do të tundë themelet mbi të cilat qëndron sot ngrehina e krimit të organizuar në Shqipëri, dhe e prokurorëve e gjyqtarëve të korruptuar.

    No videos found.