TIRANE-Kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendit ka folur për herë të parë për mocionin e votuar në parlamentin holandez, që i kërkon Brukselit rikthimin e vizave për shqiptarët. Rama qetësoi shqiptarët duke garantuar se nuk do të ketë rikthim vizash dhe se vendimi është politik.
Ai tha se shanset që të rikthehen vizat janë zero. Arsyet e vendimit të parlamentit holandez, Rama i gjen lufta e brendshme politike në Holandë në prag të zgjedhjeve. Megjithatë, kryeministri sqaroi se edhe nëse qeveria holandeze do ta dërgojë mocionin e parlamentit në Bruksel, ai duhet të kalojë në shumë procedura dhe kërkon shumicë të cilësuar për t'u aprovuar, ndërsa fjalën e fundit në këtë proces nëse do të shkojë deri në fund e thotë Parlamenti Europian.
"Një festë fyese në Tiranë për arsyet e atij vendimi dhe aspak përbuzëse për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi në kushtet kur ai vendim u përcoll në kanalet televizive si të ishte fundi i lëvizjes së lirë të shqiptarëve, ndërkohë që është një vendim thjeshtë dhe vetëm politik në vazhdën e një procesi elektoral në një vend si Holanda, ku nuk është sekret ka një zhvillim të vazhdueshëm të një politike intesive kundër zgjerimit dhe emigrantëve dhe shqiptarëve.
Është një procedurë parlamentare që nuk ka asnjë implikim të drejtpërdrejt në lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Për të shpjeguar pak më konkretisht se për revokimin e lëvizjes së lirë duhet të përmbushen disa kritere, asnjëra nuk përkon me realitetin e faktorit shqiptar në Holandë. Ministri për Drejtësinë në Holandë ka fjalën e tij reagoi duke thënë këtë, 'nuk ka asnjë kriter të përmbushur negativisht për ta adresuar'.
Për rikthimin duhet të ketë rritje e emigracionit, rritje e azilkërkuesve, që nuk është e vërtetë, pasi ka ulje, duhet të vërehet mungesë bashkëpunimi, por ka rritje, e konstatuar nga holandezët, së katërti duhet që vendi të përbëjë kërcënim për sigurinë kombëtare të vendit që ndërmerr këtë procedurë, nuk ekziston dhe së pesti duhet të konstatohet kthimi pas i kritereve teknike, por vlerësoj nga KE, që në dhjetor të 2018 nënvizoi se i plotëson 100%.
Qeveria nuk ka ndërmarrë hapa që në bazë të vendimit të parlamentit, në kushtet e një fushatë elektorale, që ti drejtohet KE-së dhe pastaj KE-ja nëse ka adresim nga qeveria holandeze e shqyrton kriteret që sapo fola. Pastaj nëse do të shkohet në Këshill, duhet konsensusi i të gjitha vendeve për të çuar përpara procedurën. Shumica e cilësuar në rast se ka reagim nga një vend për të vendosur veton kundër konsensusit.
Edhe në këtë skenar imagjinar, nëse garantohet shumica e cilësuar për të pranuar këtë procedurë, i dërgohet parlamentit Europian, është një rrugëtim i atillë, që mjafton të njohësh procesin për të kuptuar që ajo që ka ndodhur është futja në funksion e disa partive politike që janë haptazi parti me një vokacion në kundërshtim me vlerat dhe parimet që mbrojnë partitë normale europeiste.
Duke pasur dijeni se është shfaqje politike me sfond elektoral janë bashkuar edhe vota të tjera për të mos rënë në presion, pra një lojë e brendshme e një dinamike të brendshme që nuk impakton lëvizjen e lirë, zero. Kompanitë e tyre si 'Shell' në Shqipëri vijnë dhe nuk kanë ngritur asnjë shqetësim. Po pse portin e Roterdamit, kush e ktheu në han për trafiqet, kur dolën shqiptarët në Europë? Jo ore, ishte më parë, ka qenë dhe do të jetë. Ministri i Drejtësisë së Holandës e pranoi se ishte një vendim në hava" tha ai.
Kryeministri Rama e cilësoi si të neveritshme sjelljen e opozitës në Tiranë për vendimin e parlamentit holandez. Ai theksoi se qeveria nuk lëviz, pavarësisht aksionit opozitar të PD-së dhe LSI-së. "E pagëlltitshme është festa në Tiranë. Lufta politike dëshpëruese e një grupi që përpiqen ti vendosin zjarrin shpresave, ëndrrave dhe perspektivave dhe vetë vendit. Si mund të gëzohet një parti politike që thotë ja po vihet drejtësia po hiqen vizat për shqiptarët për shkak të Edvin Kristaq Ramës.
Kjo është e neveritshme, por përse e bëjnë dhe si mund të arrijnë deri këtu, lufta e verbër për pushtet. Si mundet që dëshpërimi i humbësit të arrijë deri në pikën që të presë rrënjët dhe të sillet me vendin e vend, sikur të ishte armik i vendit të vend. Lufta politike në Shqipëri të katandiset deri në këtë derexhe, që dolën zëdhënës të atyre që nuk duan t'ia dëgjojnë zërin Shqipërisë. Sot duhet të na bashk0onte Shqipëria. Nuk e ndryshojnë dot qeverinë me kapsolla, apo duke kënduar himnin stonato, qeveria nuk lëviz.
Nuk e ndryshojnë duke kërcënuar, shantazhuar, apo bllokuar. Është e pamundur. Edhe sikur të futen këtu dhe të këndojnë këngë patriotike. jemi gati ti japim më shumë garanci atij që e kërkon, por parlamenti erdhi nga zgjedhjet më të pakontestueshme. Ka edhe një ofertë tjetër, se me këtë lloj xhiroje do rrëzohet qeveria, do të bjerë parlamenti dhe do të bëhen zgjedhje të parakohshme dhe na qënkan edhe shumicë, ajo 170 mijë vetë në bulevard, do të cliroka Shqipërinë. Duhet të jesh totalisht i gatshëm ta leshë mendjen pushim, që të pranosh cmendurira të tilla" tha ai.
Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla u shpreh dje se deputetja holandeze që ndërmori nismën për vizat kundër shqiptarëve është mikeshë e ngushtë e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Duke komentuar deklaratën, Rama tha se nuk dyshon se Partia Demokratike mund të ketë kontribuar në vendimin e Holandës për vizat. "Unë e kam lexuar që kjo është mikesha e këtij apo atij, pavarësisht se nuk dyshoj fare që mund të jetë një kontribut sado i vogël i PD-së rrugore (demokratëve që dogjën mandatet) në këtë proces, pasi nuk lënë gjë pa thënë për Shqipërinë".
Sot kreu i qeverisë kishte edhe një tjetër ofertë për opozitën. Ai tha se është gati që të ndërhyjë në Kodin Penal për të ashpëruar dënimet dhe ngushtuar rrethin e shit-blerësve të votave. "Ne kemi mundësi së bashku të adresojmë në kodin penal shumë shpejt disa masa të reja për integritetin votës, shit-blerjen e votës. Ne do bëjmë propozimet tona, palët e tjera të bëjnë të tyret. Ne mund ta shtrëngojmë rrethin për ata që ushtrojnë këtë aktivitet të paligjshëm në fushatë. Por nga ana tjetër, sot parlamenti italian ka një diskutim për shit-blerjen e votës. Gjithashtu do të vijmë shumë shpejt me ligjin e shpifjes për median.
Kemi punuar ngushtësisht me OSBE me një draft të dakordësuar, do të kërkojmë që të shtrëngohet rrethi i atyre që e kanë kthyer botën mediatike në llum. Në komisionin e reformës zgjedhore jemi gati dhe të vijnë, kemi një partie demokratike parlamentare dhe një rrugore. Me atë rrugoren jemi gati të diskutojmë të gjejmë mënyrën, por nuk mund të dalim në rrugë dhe të bëjmë garë se kush hedh më shumë kapsolla"përfundoi kryeministri Edi Rama.