Rama: Sot kalojmë mbi 300 mijë vaksinime! Manastirliu: Të shtunën vijnë 40 mijë doza të AstraZeneca

15 Prill 2021, 13:34

TIRANË-  Ditën e shtunë do të mbërrijë sasia e radhës së dozave të vaksinës nga AstraZeneca, që Shqipëria i përfiton nëpërmjet mekanizmit COVAX. Lajmi u bëri ditur nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu teksa ishte duke ndjekur nga afër procesin e vaksinimit masiv në Kamëz.

“Ditën e shtunë vijnë dhe 40 mijë doza të AstraZeneca nga COVAX”, tha Manastirliu.  

Nga ana tjetër, kreu i qeverisë bëri me doje se ditën e sotme Shqipëria do të arrijë në kuotën e 300 mijë vaksinimeve në rang vendit, e ndërsa në fundjavë, si kurse është bërë me dije më herët, do të nisë vaksinimi i operatorëve turistik. Kjo me qëllim që të lehtësohet sezoni turistik, për të pasur një verë pa kufizime.

“Sot kalojmë mbi 300,000 vaksinime të kryera dhe në fundjavë nisim vaksinimin e operatorëve turistikë”, tha Rama.

Vaksinimi masiv në vend ka nisur që prej 28 mars dhe po vijon  për të moshuarit, stomatologët, farmacistët, arsimtarët në shkollat private, edukatorët, punonjësit e rendit dhe punonjës të medias, e ndërsa së fundmi edhe për moshat +60-vjeç me të sëmurët kronik.  Referuar shifrave zyrtare, ditën e djeshme u kryen 12.944 vaksinime në të gjithë vendin, duke e çuar numrin total të të vaksinuarve në 294.160 në të gjithë vendin.