Rama u merr plazhet bashkive: Në shtator ligji i ri, nuk ka më rrumpallë, zaptime dhe qoka

4 Gusht 2019, 15:16

Ky është viti i fundit që bashkitë kanë në administrim vijën bregdetare. Kryeministri Rama njoftoi sot se në shtator do të depozitohet ligji i ri në Kuvendin e Shqipërisë që u heq bashkive administrimin e plazheve.

Vendimi, sipas kreut të qeverisë erdhi pas situatës me administrimin e plazheve nga pushteti lokal, të cilën ai e cilëson si rrumpallë. Ai vlerëson punën e policisë dhe inspektorëve në javët e fundit për lirimin e hapësirave, por shton se kjo nuk mjafton prandaj vija bregdetare do të kalojë në administrim nga shteti.

"Pushtimi i plazheve publike dhe rrumpalla në administrimin e plazheve e të territorit bregdetar në tërësi nga njësitë vendore, duhet të marrë fund. Beteja e Policisë së Shtetit dhe inspektoriateve qendrore, qysh nga fillimkorriku, po ndikon në përmirësimin situatës, por nuk mjafton. Nē vjeshtë në Kuvend, LIGJI I RI pēr mbrojtjen dhe administrimin e Vijës Bregdetare nga shteti.

Kjo pasuri kombëtare i takon POPULLIT dhe pushimet u takojnë njerëzve, jo abuzuesve të çdo kategorie; nga tregtarët qē nuk lëshojnë kuponat, tek harbutët që zaptojnë plazhet dhe deri tek zyrtarucë shtetërorë e pushtetarë vendorë, të cilët në vend të detyrës ndaj vendit dhe pushuesve, u bëjnë qoka dëmtuesve e zhurmuesve. ZeroTolerancë ndaj abuzuesve nuk është moto fushate, po linja e re e qeverisjes Deri në Fund dhe në çdo drejtim" thotë Rama.

Në javët e fundit janë liruar disa hapësira publike në plazhe nga Ksamili, në Lezhë, Velipojë, Durrës dhe Pogradec, ndërsa janë proceduar edhe dy drejtorë të Tatimeve, pasi nuk kishin ushtruar kontrolle në territorin që mbulonin.

Aksioni anti-informalitet vijon prej disa javësh në të gjithë vendin me theks vijën bregdetare, ndërsa nga 1 gushti është shtrirë edhe te karburantet dhe biznese të tjerë

    No videos found.