TIRANE-Kryeministri Edi Rama ishte mbrëmjen e sotme në familjen Greku me origjinë nga Thumana që është akomoduar te banesat sociale në Shkozë pas tragjedisë ku humbi tre anëtarë të familjes. Kreu i qeverisë u njoh me gjendjen e familjes duke i kërkuar kryebashkiakut Veliaj që t'u plotësojë cdo nevojë. Por vogëlushja e familjes Greku, mbesa e dy gjyshërve që ndërruan jetë nën rrënoja preku kryeministrin kur i tha se 'i ka parë në ëndërr, por i do aty'.
Pëllumb Greku bashkë me gruan dhe djalin e tij humbën jetën nga shembja e pallatit në Thumanë. Kryefamiljari 57 vjeçar punonte si faturino prej vitesh në linjën e autobusëve Lezhë-Tiranë. Tragjedia mund të ishte edhe më e madhe për këtë familje, pasi djali ishte i martuar dhe kishte dhe një fëmijë të mitur dhe ata jetonin në të njëjtin apartament tek pallati i shembur në Thumanë. Por për fatin e mirë një ditë para tërmetit nusja e djalit të ndjerë bashkë me vajzën e mitur kishin shkuar tek prindërit e saj në Dibër.Djali i shtëpisë bashkë me gruan dhe dy fëmijët e tij janë strehuar në një apartament 1+1, ndërsa vajza e familjes Denisa bashkë me të fejuarin e saj kanë marrë një tjetër apartament. Për shkak të tronditjes së pësuar prej tërmetit, Denisa është aktualisht nën trajtim mjekësor, ndërkohë që gjithçka është e mbuluar nga institucionet.