Raporti i FMN për Shqipërinë, Tabaku: Tregon qartë katastrofën me financat publike

2 Dhjetor 2020, 11:55 | Përditesimi: 2 Dhjetor 2020, 19:53

Partia Demokratike ka reaguar sërish në lidhje me raportin e publikuar nga FMN mbi Shqipërinë dy ditë më parë. Përmes ish-deputetes Jorida Tabaku, ata thonë se ky raport tregon qartë se Shqipëria ka paketën më të ulët në rajon për ndihmën e shqiptarëve mes pandemisë.

Tabaku thotë se paralajmërimi i opozitës që vjen dhe si qëndrim i FMN, lidhet me ndikimin afatgjatë që kjo krizë do të ketë në ekonominë tonë.

Deklarata e Jorida Tabakut:

 Raporti i FMN për Shqipërinë ishte i qartë dhe i prerë; ai tregon  katastrofën në të cilën ndodhen financat publike dhe ekonomia. Le t’i marrim me radhë

1.   Mesazhi kyç dhe më i rëndësishëm nga FMN lidhej me kujdesin ndaj qytetarëve, sidomos ato vulnerabël. Të cilët qeveria i ka braktisur pasi zgjodhi PPP-të përpara shqiptarëve, zgjodhi pagesat ndaj koncesioneve të oligarkëve përpara pagesës së nevojave të shqiptarëve në mes të pandemisë. FMN është mëse e qartë dhe e shkruan e zeza mbi të bardhë se:

Shqipëria ka paketën më të ulët në rajon për mbështetjen e pandemisë dhe kjo ka rezultuar në impaktin më të madh negativ të krizës në xhepat e shqiptarëve dhe buxhetin e shtetit.

2.    Kriza që ka prekur xhepat e shqiptarëve dhe më tej gjithë ekonoinë e vendit përkthehet në një krizë të madhe që do të shoqërohet me një recesion ekonomik sa 7.5% e PBB-së. Kjo do të thotë një krizë edhe më e thellë në tavolinat e shqiptarëve, një rënie e të ardhurave në xhepat e qytetarëve, më shumë biznese të mbyllura dhe më shumë të papunë.  

Paralajmërimi i opozitës që vjen si qendrim edhe i FMN, lidhet me ndikimin afatgjatë që kjo krizë do të ketë në ekonominë tonë.

 Kjo krizë e ka emrin depresion, i cili po thellohet nga keqmanaxhimi Ramës do të ndikojë në rënien e mëtejshme të PBB-së edhe në vitet në vijim. Kjo do të thotë një rritje e detyrimeve që çdo shtëpi do të ketë tek marketi i lagjes, mungesë të ardhurash dhe ulje të sigurisë në vend.

 Vendi do të përballet që në fillim të 2021 me një borxh publik sa 81.9% e PBB-së pa përllogaritur detyrimet ndaj PPP-ve.  

b.ha./Shqiptarja.com