FMN ka publikuar raportin për Shqipërinë duke thënë se vendi është prekur rëndë nga pandemia dhe tërmeti. Sipas FMN ekonomia pritet të tkurret me 7.5% në vitin 2020 dhe të rimëkëmbet gradualisht në 2021-22.
Inflacioni pritet të mbetet i ulët para se të konvergojë në objektivin 3% për periudhën afatmesme, ndërsa deficiti parashikohet të zgjerohet në më shumë se 10% të PBB-së në 2020, .
Shqipëria ka përfituar nga ndihma financiare emergjente e FMN-së (rreth 190.5 milion dollarë amerikanë) e disbursuar nën Instrumenti i Financimit të Shpejtë në Prill 2020, i cili lejoi Shqipërinë të përmbushë nevojat urgjente të bilancit të pagesave që vijnë nga pasojat e tërmetit të Nëntorit 2019 dhe shpërthimit të pandemisë COVID-19. Kapaciteti i Shqipërisë për të ripaguar Fondin është i mjaftueshëm, por rreziqet janë rritur. Rreziqet negative janë në rritje pasi edhe rastet e infektimit janë shtuar
Një pandemi më e rëndë do të dëmtojë më tej perspektivën ekonomike të Shqipërisë, përmes turizmit më të dobët, remitancave dhe kushteve financiare. Rreziqet kryesore dhe që janë rritur janë borxhi, pandemia, dobësitë në menaxhimin e financave, euroizimi (përdorimi në masë i euros) dhe kreditë me probleme. Borxhi i lartë publik në skenarin më të keq do jetë 81.9 % , ndërsa në atë pozitiv 75.6 %. Ekonomia në 2021 do rimëkëmbet me 5.4% në skenarin e keq dhe në atë pozitiv 8%.
Rreziqet e shtuara dhe pasiguritë rrethojnë edhe rimëkëmbjen ekonomike në 2021 dhe 2022
Ekspertët e FMN kërkuan masa për menaxhimin e financave, për kontrollin e fondeve të rindërtimit, të rrisin mbledhshmërinë e të ardhurave, të ulin deficitin. Duhet një strategji për menaxhimin e financave për të rritur kapitalin fizik si dhe ndryshimet e shpeshta fiskale në politikën tatimore duhet të shmangen.
Ekspertët kanë kërkuar monitorim të PPP dhe garancive të fundit të qeverisë. Kërkesa tjetër është të shikohet me kujdes edhe ristrukturimi i kredive, dhe të mbetet i kufizuar shpërndarja e dividentit për të mbrojtur bankat.
FMN thekson se mbështetja për ekonominë duhet të vazhdojë në 2021, por duhet të jetë e përkohshme dhe e synuar, subjekt i transparencës dhe llogaridhënies.
Dy ditë më parë BERZH bëri një parashikim të zymtë, sipas të cilit ekonomia e Shqipërisë pritet të tkurret me 9% këtë vit, dhe të rikuperohet me 4.5% në vitin që vjen.
Të gjithë institucionet vendase dhe të huaja thonë se goditja më e fortë ekonomisë po i vjen nga mungesa e turistëve dhe lidhjet tregtare me vendet e dëmtuara nga pandemia. Po ashtu ata presin të gjithë se konsumi dhe rindërtimi do të jenë faktorët kryesor që do të ndikojnë në rigjallërimin e ekonomisë, edhe pse jetëgjatësia e pandemisë mbetet kërcënim.