Raporti i Ministrisë së Brendshme për kriminalitetin në muajin janar të këtij tregon një nivel të lartë të krimit për veprën penale të dhunës në familje, e cila është rritur në raport me pesë muajt e parë të viteve të fundit. Shifrat flasin për qetësim të situatës së vrasje, por jo të plagosjeve të rënda. Po ashtu, shqetësim mbetet armëmbajtja pa leje.
2021 nisi me një vrasje. Vladimir Zvezhda u qëllua me thikë pas një konflikt nga kunati i tij, pak pas ndërrimit të viteve, në darkën ku ishin duke festuar.
31 ditët e muajit të parë të vitit u mbyllën me katër ngjarje kriminale, por vetëm dy u shënuan në raportin e mujor të janarit nga Ministria e Brendshme. Tjetër vrasje është edhe ajo e ekzekutimit të Edmir Begut në Durrës, ngjarje kjo e pazbardhur. Zhdukja e italianit Davide Pecorelli nuk përfshihet në listë pasi organi i akuzës akoma nuk ka provat shkencore për t’a konsideruar atë si vrasje. Po ashtu, ngjarja e 29 janarit ku u plagos Përparim Sinarrapaj, i cili pak ditë më vonë vdiq në spital, raportohet në ngjarjet kriminale të shkurtit. E krahasuar me pesë vitet e fundit, raporti i vrasjeve në muajin janar 2021 është me ulje. Nga viti 2017 deri në 2020-ën për muajin janar janë respektivisht 4, 8, 5 dhe 6 vrasje.
Nëse vrasjet janë në ulje, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për sa i përket plagosjeve të rënda. Gjatë janarit 2021 janë regjistruar 14 të tilla. Në këtë vepër penale, janari i këtij viti mbretëron në shifra, krahasuar me muajt janar të pesë viteve të fundit. Nga 2017-a deri në 2020-ën, raporti i plagosjeve me dashje është 13, 7, 5 dhe 10.













