Reforma zgjedhore, ekspertët: Pjesëmarrja e PD pozitive! Debatet? Fotografia e politikës shqiptare

26 Shtator 2019, 16:18

TIRANE - Ndonëse tryeza e reformës zgjedhore e thirrur nga OSBE u kthye në një arenë debatesh, ekspertët përsëri nuk e quajnë një dështim. Dy ish-kryetarët e KQZ, Ilirjan Celibashi dhe Kristaq Kume, pjesëmarrjen e opozitës jo parlamentare në nivel teknik për reformën zgjedhore e quajnë një hap pozitiv.

Celibashi: Qëllimi ishte të shikonim opinionin e gjithë aktorëve të interesuar në lidhje me çështjen e sistemit zgjedhor. Janë ftuar dhe ekspertë për të dhënë mendimin e tyre

Kume: Fakti që mori pjesë opozita që është jashtë parlamentit në nivel teknik, është një tregues

Tryeza nuk prodhoi asnjë propozim konkret por ekspertët e kanë një të tillë.

Celibashi: “Unë jam për sistem mazhoritar. Ndoshta për kushtet e Shqipërisë nuk do ishte sistemi më i mirë, por sistemi i aplikuar në 2001 dhe 2005 mendoj se i shkon përshtat Shqipërisë”.

Kume: “Ne kemi aplikuar plot 5 sisteme të ndryshme zgjedhore që do të thotë paqëndrueshmëri e skajshme pasi kanë qenë vendimmarrje në bazë të interesave politikë, jo në bazë të analizave për atë se çfarë ka sjellë sistemi zgjedhor që është ndryshuar.

Largimin e opozitës parlamentare dhe debatet e shumta që prodhoi kjo tryezë, për ekspertët është një fotografi e politikës shqiptare.

Celibashi: “Fotografi e asaj që është në Kuvendin e Shqipërisë dhe e politikës shqiptare”.

Prezenca e OSBE në vendin tonë realizoi tryezën gjithëpërfshirëse të reformës zgjedhore për të përfshirë partitë parlamentare , jo parlamentare dhe gjithë grupet e interesit në mënyrë që të jepeshin propozime sa i përket realizimit të reformës zgjedhore. Kjo tryezë prodhoi veç debate e diskutime politike pasi opozita parlamentare nuk pranoi kërkesën e PD për të realizuar reformën vetëm nga institucione apo subjekte zgjedhore që kanë vullnet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.