Reformatimi i kabinetit nga Rama, Meta: Me rëndësi ndryshimi i filozofisë së qeverisjes, të bashkëpunojë me opozitën

28 Dhjetor 2018, 15:19

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka komentuar nga Korça ndryshimet në kabinetin qeveritar, duke theksuar se e rëndësishme është që të ndryshojë filozofia e qeverisjes. Deklarata e Metës u bë vetëm pak minuta pasi kryeministri Edi Rama njoftoi nga punimet e Asamblesë Kombëtare të PS shkarkimin e shtatë ministrave (Lexo këtu). 

Zoti President sot ishit në një drekë me të varfërit. Si ju duk vetja?
Kemi nevojë të jemi më shpesh pranë këtyre njerëzve, sepse siç dëgjova edhe Imzot Johanin, nga i cili gjithmonë mëson. Ai që nuk e shikon Krishtin te sytë e lypësit pranë Kishës, e ka të vështirë ta gjejë atë diku tjetër, dhe unë besoj se është detyrim i yni, i gjithë institucioneve qendrore e vendore që të bëjmë më shumë për të garantuar jetesën dhe dinjitetin e këtyre njerëzve, të cilët nëpërkëmben nga varfëria, por shpesh edhe nga braktisja e institucioneve, nga burokracia dhe mosvëmendja. Padyshim vëmendja jonë për bashkësitë fetare është e jashtëzakonshme, sepse po bëjnë një punë të shkëlqyer, dhe e bëjnë atë pa publicitet. Por nuk mjafton kjo, ne duhet të marrim përgjegjësitë tona si shtet. Duhet të bëjmë më shumë në këtë drejtim e të tregojmë përgjegjësitë tona sociale e të tregojmë më shumë njerëzillëk.

Zoti President, kryeministri Rama ka bërë me dije ndryshime të thella në kabinetin e tij. A është kjo zgjidhja?
Nuk do të dëshiroja të hyja në komente të tilla, aq më tepër që nuk jam njohur realisht dhe plotësisht me këto ndryshime. Për mua është thelbësore të ndryshojë filozofia e qeverisjes, e cila duhet të jetë një filozofi bashkëpunuese. Bashkëpunuese me opozitën, bashkëpunuese me grupet e interesit, për bërjen e ligjeve më të mira dhe zbatimin e tyre. Bashkëpunuese me institucionet e pavarura, sepse kjo do të na ndihmojë që të jemi edhe më reflektues për të sjellë ato ndryshime, për të cilat në radhë të parë kanë nevojë njerëzit më në vështirësi, kanë nevojë një pjesë e madhe e shqiptarëve për të dalë nga pragu i varfërisë në të cilin ndodhen sot, por aq më tepër për të zgjeruar e për të konsoliduar shtresën e mesme në vendin e shoqërinë tonë, që është domosdoshmëri për të evituar një ndarje sociale, e cila mund të bëhet shumë e rrezikshme për shoqërinë tonë.

A mund të jenë këto ndryshime që do ta shtyjnë më tej zgjidhjen në “kabinetin Rama”?
Nuk është kjo çështja më e rëndësishme meqë më pyetët pak më parë për ndryshimin e ministrit të Bujqësisë. Meqenëse edhe vetë Korça e lidh mjaft fatin e saj me zhvillimin e bujqësisë e të industrive që bazohen te ajo, mund të them që mund të ndryshohet çdo gjashtë muaj ministri i Bujqësisë, por në rast se nuk ndryshohen politikat për zhvillimin e bujqësisë, për mbështetjen e bujqësisë, ndryshimet e emrave, nuk u vlejnë as fermerëve, as ekonomistëve të vendit. Dhe për këtë nuk dua të lodhem shumë. Kam kohë që e kërkojë të ndjekim modelin e Maqedonisë, që është kaq afër Shqipërisë dhe Korçës.

Një pyetje të fundit: Dy ministra vijnë nga Kosova?
Nuk kam asnjë informacion për këtë çështje. Për muanuk është e rëndësishme se nga vijnë e si vijnë apo si ikin ministrat. Për mua është e rëndësishme të reflektojmë dhe të përmirësojmë raportin me të vërtetën dhe me njerëzit.

    No videos found.