Rënia e rasteve me COVID, mjeku infeksionist: Vaksina po jep rezultat!

10 Maj 2021, 13:09 | Përditesimi i fundit: 2021-05-10 18:56:29

Infeksionisti në Spitalin Infektiv, Edmond Puca tha se situata e pandemisë ka njohur një përmirësim të ndjeshëm, nga uljet e rasteve të reja dhe uljes së shtrimeve në spital. Në një intervistë për Report Tv, rënien e infektimeve ditore, mjeku e lidhi me disa faktorë që nga fakti që po shkojmë drejt imunitetit të tufës, vaksinimit por dhe respektimit të rregullave anti-COVID.

"Imuniteti që kemi kaluar pasi pandemia ka mbi një vit që është prezente në vendin tonë, në nëntor-shkurt rast kanë qenë shumë i madh, kështu që një pjesë të mirë do ja lija imunitetit të tufës që jemi duke u afruar por edhe vaksinat kanë bërë punët e tyre pasi kemi 600 mijë të vaksinuar më e larta në Ballkan për popullatë. Kemi 25-30 % të pacientëve të vaksinuar për numër popullate. Një pjesë e mirë e njerëzve janë të kujdesshëm dhe ruajnë veten", tha mjeku

Ulja e shtrimeve në spital është pritur me entuziazëm nga buzat e bardha ku infeksionisti Edmond Puca tha se më në fund ai dhe kolegët e tij arritën pas një viti pandemi të vishnin sërish përparësen e bardhë dhe të hiqnin veshjet speciale anti-Covid për t'u mbrojtur nga virusi.

"Si unë dhe kolegët e mi pas një viti veshëm bluzën e bardhë dhe kjo është gjëja më e mirë. Një pjesë e mirë e kemi kaluar virusin dhe numri i rasteve është i pakët dhe shpresoj të ecet me këtë ritëm pasi do të kemi një sezon veror optimist", tha ai

Puca tha se aktualisht në Spitalin Infektiv janë 30-35 pacientë të shtruar të moshës mbi 60 vjeç, ndërsa simptomat e tyre janë po të njëjta me ato që nga fillimi i pandemisë si vështirësi në frymëmarrje, lodhje apo temperaturë të zgjatur në kohë.