Nga Londra, ku ndodhet në Samitin e NATO-s, kryeministri Edi Rama i është drejtuar liderit demokrat Lulzim Basha përmes një postimi në rrjetet sociale duke i kërkuar të ndalë të bërit politikë me njerëzit në këto ditë të vështira për popullin shqiptar pas tërmetit të 26 nëntorit.
Ishte kryedemokrati që tha sot se dhjetëra banorë kanë mbetur të braktisur nga shteti pasi askush nuk ka shkuar pranë tyre. Por kryeministri Rama thotë se kjo është një situatë që duhet 'i bëjë të gjithë bashkë për t'i dhënë ngrohtësi çdo shqiptari që është prekur nga tërmeti. Rama thotë se ata janë njerëz të pasistemuar ende, dhe se të gjithë do të kenë një strehim dhe ushqim.
"I dashur Lulzim, asgjë më të keqe s’mund të bëjë një politikan në këto ditë të zymta, se sa të kërkojë raste njerëzish ende të pasistemuar për t’i përdorur për politikë! Ka shumë akoma që duan dorën tonë dhe ngrohtësinë e kujtdo që mundet t’ua japë! Eja të bashkëpunojmë.
Mos u mjafto me fjalët e errëta e me pamjen që dukesh sikur e ke humbur ti shtëpinë, jo ata fatkeqë që kështu bëhen sfond mediatik, për të përcjellë zymtinë e politikës së stërvjetër, në vend të ngrohtësisë njerëzore! Le t’i ndihmojmë së bashku me pak dritë, se zymti kanë boll", shkruan Rama.
Basha dhe Rama kanë replikuar këto ditë pas tërmetit, teksa kryeministri i ka bërë ftesë të ulen në një tryezë për ide dhe propozime konkrete në ndihmë të zgjidhjeve për të prekurit nga tërmeti, ndërsa lideri i opozitës së bashkuar është gjendur në terren pranë disa familjeve të prekura, duke i ofruar alternativat e tij nga ekrani.