Rrëfimi tronditës i babait të Elvis Troqes / Pjesa e dytë

23 Nëntor 2018, 06:30 | Përditesimi i fundit: 2018-11-26 07:46:05

Babai i Elvis Troqes, Krenar Troqe flet ekskluzivisht në një intervistë për gazetarin e Report Tv, Artan Hoxha, 4 muaj pas zhdukjes së djalit të tij. Intervista transmetohet në emisionin Repolitix në Report Tv,ku i ati thotë se ka humbur çdo shpresë për t’a gjetur të gjallë, Elvisin.

Krenar Troqe rrëfen me data dhe të dhëna konkrete momentet e zhdukjes së djalit, por edhe sqaron se zhdukja e tij nuk lidhet me Albano Xhaferrin, pasi sipas tij, Xhaferri dhe Elvis Troqe nuk njiheshin me njëri-tjetrin. Ai thotë se nuk ka patur kërcënime direkte por se indirekt është ndierë i shqetësuar për djalin tjetër të tij.

Pse u kthye nga Belgjika?

U kthye se me djalin e hallës kishte një qejfmbetje dhe se kishte ditëlindjen e mamasë. Qejfmbetja nuk ishte problematike. I tha, unë nuk rri më këtu.

Me Albano Xhaferrin ka patur njohje?

Jo, nëse janë njohur në Belgjikë tani se më para s’kanë patur asnjë njohje. Kanë qëndruar në të njëjtin qytet në Belgjikë.

E keni pyetur nëse kishte probleme?

Jo, më ka thënë se nuk kishte probleme, rrinte me shokët deri në 2 të natës. S’kemi konstatuar asnjë problem.

Kur djali s’u kthye më në lokal, ju e kishit lenë që në 21:00 të mblidheshit, a shkuat direkt në polici?

Atë ditë unë kam shkuar dhe mora një njeri që njoh, i tregova problemin. Ik më tha atje bëj denoncim. OPGJ më thotë, se i thashë dua të më regjistroni kamerat e zonës se ata janë tipa që i fshijnë. OPGJ më tha se nuk është në kompetencat e mia. I thashë që e lemë më kaq. Më merr shoku të nesërmen, më thotë ik urgjentisht bëj denoncimin. Vajta bëra denoncimin, erdhën ata morën kamerat.

Si e nisën kallëzimin, me idenë për largim pa leje apo?

Prokurori më tha fillimisht do e marrim për vrasje. Unë pashë që në Vlorë s’kishte reagim, përveç reagimit të drejtorit. Ardi Veliu dërgoi këta të Krimeve në Vlorë. Pashë që kishte ecuri. Prokurori më tha, që ta marrin Krimet e Rënda duhet të bëhet rrëmbim personi. E mori, dosja erdhi këtu, personi që akuzohet për marrje po këtu. Shoferi i makinës, thotë që e kisha unë makinë n atë ditë. Përderisa e kishe ti atë ditë, si merresh dhe lëshohesh ti? E kanë marrë dhe e kanë lëshuar,  Krimet e Rënda e kanë kthyer prapë dosjen, se ky është larguar me dëshirë dhe nuk quhet rrëmbim. S’di si ta quaj, kur unë kam 4 muaj pa kontakt me djalin.

Keni patur ndonjë informacion se ku mund të ndodhet djali juaj?

Kam  dëgjuar shumë budallaqe, por jo për vendodhjen e djalit.

Çfarë shpresoni?

Unë nuk kam shpresë, kërkoj që në daç t’i mbajnë në burg, në daç t’i presin, në daç t’i vrasin, dua që një ditë të gjej edhe një eshtër të djalit, të mos e qaj rrugëve, ta qaj në një varr, kaq kërkoj.

Gjatë kësaj kohe, a keni krijuar ndonjë ide për çfarë arsye është rrëmbyer?

Unë kam dëgjuar dy arsye, sesa janë të vërteta nuk e di. Kam dëgjuar se mund ta kenë marrë për dëshmitar për çështjen që ka qenë në Belgjikë, me personin në fjalë.

Kam dëgjuar edhe se ky ka qenë në dijeni për ardhjen e Albano Xhaferrit. Këto janë hipoteza. Kam folur në prokurori dhe më kanë thënë që është prokuror i mirë.

Takova Arta Markun me kërkesë zyrtare, unë nuk jam në një fazë që të vij të bëj takime për të kaluar kohën, vij kërkoj atë që kam të drejtë.

Keni patur shqetësime apo sinjale të tjera?

Sinjale me gojë ndoshta s’kam patur, por kam patur lëvizje të tjera. I kam thënë dhe drejtorit të Policisë, i kërkova të krijohej mundësia që djalin tjetër t’a largoj nga Shqipëria. I thashë, më vini një kamerë ballë për ballë tek shtëpia, se mund të ndodhë një çudi më e madhe. Më thanë se bëjmë ne këtë, duhet t’a bësh vetë ti. Unë s’blej dot bukën.

Policia ka arrestuar dy të dyshuar që kanë lidhje me ngjarjen, çfarë iu kanë thënë?

Më kanë thënë që po punojmë. Për punën e makinës, më thanë që e kapëm dhe e lëshuam. Herën e parë ka thënë se nuk ishte makina e tij. Kur e kanë marrë për herë të dytë, thotë se atë ditë makinën e ka patur në lavazho. I pyeta në cilën lavazho ka qenë.

Kur ndodhi ngjarja ka patur mbi të masë sigurie?

Për këtë që ka marrë djalin ka qenë me arrest shtëpie. Si ka dalë ai? A ka ligj?

Djali la telefonin në tavolinë, e sekuestroi prokuroria?

Po, i kanë ata, s’më kanë dhënë asnjë të dhënë. Më thanë që e kanë si provë.

Apeli juaj i fundit për institucionet?

Isha 4 ditë më parë me gruan. Iu thashë, s’dua asgjë, zbatoni ligjet. Unë dua edhe një eshtër që të di ku t’a qaj. Me ta bëni çfarë të doni.

Ju s’keni më shpresë se djali është i gjallë?

S’ma merr mendja, s’kam më besim.