Report TV - Dy aksidente/ Tre të plagosur në Tiranë, makina me familjen vlonjate përmbyset në Fier

27 Korrik 2019, 20:36

Dy aksidente janë regjistruar mbrëmjen e sotme në Tiranë dhe në Fier. Në Tiranë raportohet se si pasojë e përplasjes së dy makinave pranë rrethrrotullimit të Saukut janë plagosur tre persona, një çift dhe fëmija.

Ndërkohë që në Fier ka dalë nga rruga një makinë tip 'Peugeot' ku po udhëtonin katër persona, mes tyre dy fëmijë.

Report Tv mëson se në makinën me targa italiane po udhëtonte një familje nga Vlora, një grua me nënën dhe dy fëmijët. Si pasojë e humbjes së kontrollit makina ka përfunduar në kanal te fshati Varibop.

Plagë të lehta kanë marrë drejtuesja e makinës 30-vjeçe dhe nëna e saj 46-vjeçe në këmbë, por jashtë rrezikut për jetën.

Sot janë shënuar disa aksidente në vend me disa të plagosur. Në Korçë janë regjistruar tre aksidente me 5 të plagosur, ndërsa në Fier pasdite u plagos një efektiv policie.