Report TV Ekskluzive/ Elton Qyno: Zanafilla e vrasjes së dy vëllezërve në Krujë nisi në 2005

5 Qershor 2020, 14:24 | Përditesimi i fundit: 2020-06-05 14:41:19

Vrasja e dy vëllezërve Bardhi në Krujë, ka ardhur si rezultat i një konflikti që Besnik Pula ka pasur me vëllanë e madh të familjes Bardhi, Elton Bardhi. Konflikti e ka zanafillën në vitin 19 gusht 2005 kur vëllai i Gramoz dhe Xhontil Bardhi, Eltoni ka plagosur me thikë Besnik Pulën.

Kjo ngjarje ka ndodhur rreth orës 19:30, ku Elton Bardhi ka plagosur me thikë Besnik Pulën, duke i shkaktuar dëmtime të rrezikshme për shëndetin. Pas ngjarjes Elton Bardhi shkon në banesë dhe u tregon familjareve për ngjarjen dhe largohet në drejtim të paditur. Rezulton se në të njëjtën datë, nipi i Besnik Pula, Roland Pula ka shkuar në banesën e Elton Bardhit dhe qëllon me kallashnikov në drejtim të dritares dhe portës kryesore të shtëpisë. Në atë periudhë prokuroria dhe policia e Krujës fiksuan si prova materiale gëzhoja dhe predha të plumbave, duke akuzuar direkt Roland Pulën si autor të kësaj ngjarje të ndodhur në vitin 2005.

Por gjatë gjykimit avokati i të pandehurit ka pretenduar se  i akuzuari Roland Pula, ka qenë i punësuar në Greqi, sipas një vërtetimi të sjellë nga punëdhënësi Mark Ndoj . Sipas korrespondencave me letër porosite me shtetin grek nuk provohet ky pretendim dhe përfundimisht gjykata e Krujës ka dënuar me 5 vite burg Elton Bardhi për plagosjen e xhaxhait të Rolandit, Besnik Pula dhe me 1 vit e 3 muaj burgim Roland Pulën për goditjen me armë në banesën e familjes Bardhi.

Ndërkohë katër vite pas kësaj ngjarje në datën 25 mars 2009 është regjistruar një tjetër dosje në prokurorinë e Krujës për akuzën e Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit. Kjo dosje është iniciuar pas kallëzimit të bërë nga Frrok Pula që Kol Bardhi, babai i Eltonit, dhe dy viktimave Gramoz dhe Xhontilit,  ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij dhe duke i thëne që do të vrasë me gjithë familje. Kjo dosje është hetuar për gati një vit dhe më pas është pushuar pasi nuk është arritur të provohet fajësia e tij.

Ndërkohë në një deklarim të dhënë nga Kol Bardhi sqaron se janë në konflikt të vazhdueshëm, sepse Llesh Pula dhe Roland Pula kanë rrahur djalin e tij Gazmir Bardhi. Gjithashtu në datën 3 shkurt 2009 është marrë një vendim këqyrje personi pasi për ngjarjen dyshohet se autorët janë Brikel Lama, Indrit Leka , Sadri Hima, Roland Pula etj.