Report Tv siguron pamjet, momenti kur autori Ragip Gila largohet me BMW në mes të Shkodrës pas masakrës

8 Shtator, 16:16 | Përditesimi: 8 Shtator, 17:25

Këto janë pamjet kur autori Ragip Gila 29 vjeç largohet me makinën tip BMË, që ia vodhi një qytetari nën kërcënimin e armës, pasi kishte kryer masakrën me 2 të vrarë dhe 2 të plagosur në Shkodër.

Në këtë video duket qartë makina tip BMW ngjyrë gri (në rreth të kuq), e cila drejtohet nga Ragip Gila, dhe qarkullon në mes të Shkodrës në tentativë për t’u arratisur pas krimit të rëndë.

29-vjeçari u largua me makinën BMW deri në lagjen Skënderbeg. Për shkak të ndjekjes nga policia, bëri aksident duke u përplasur me disa mjete.

BMW-në e braktisi dhe u largua në këmbë duke tentuar të kalonte lumin Kir. Por aty u kap nga forcat Shqiponja.  

Ragip Gila vrau 2 persona dhe plagosi 2 të tjerë mëngjesin e kësaj të hëne (8 shtator) në një lokal pranë bashkisë së qytetit. Ai ishte i armatosur me dy armë dhe antiplumb.

29-vjeçari mbërriti para lokalit me një motor. Hyri brenda lokalit dhe hapi zjarr duke shkaktuar masakrën. Më pas doli nga dera e dytë e lokalit dhe eci në këmbë për disa metra, pasi motorin e kishte braktisur. 

Nga kjo masakër me armë mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja (Lushi). Ndërsa u plagosën Erogen Brajoviç alias Erogen Vaso, dhe kamerierja 25-vjeçare e lokalit ku ndodhi masakra.

r.k./Shqiptarja.com