Njihet si kokoceli ose lule ciani dhe vitet e fundit në fushat e juglindjes po kultivohet gjerësisht. Vetëm në fshatrat e Bashkisë së Maliqit nga 230 ha sipërfaqe toke me bimë medicinale, 110 prej tyre janë të mbjella me lule ciani. Pjesa dërrmuese e banorëve të kësaj zone, ekonominë e tyre e kanë përqendruar te kultivimi i bimëve medicinale.
Herët në mëngjes, banorët i gjen në mes të fushave piktoreske. Shpejtojnë, mes temperaturave të larta, për të mbledhur sa më shumë lule dhe largohen në mbrëmje. Një punë e lodhshme, që do mund dhe përkushtim, por për këta banorë mbetet alternativa më e mirë për të mbajtur familjen e tyre.